Zyrtarë institucionalë dhe akademikë kërkojnë përcaktimin e prioriteteve për mbrojtje nga tërmetet
14/01/2020Tërmetet e njëpasnjëshme të 26 nëntorit 2019, në Shqipëri, lanë të vdekur e të plagosur qindra njerëz, njëherësh u rrëzuan dhe u dëmtuan qindra ndërtime banesore dhe afariste.
Si pasojë e kësaj tragjedie, për të diskutuar për përballjen ndaj këtyre fatkeqësive natyrore, në Kampusin Inovativ në Lipjan, UBT sot mbajti konferencën me temë: “Sa është e gatshme Kosova të përballojë një tërmet me intensitet të ngjashëm me tërmetin e datës 26 nëntor 2019 në Durrës”.
Kjo konferencë mblodhi bashkë zyrtarë dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, si dhe ekspertë dhe profesorë vendor dhe nga rajoni të kësaj fushe.
Punimet e konferencës i hapi rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili tha se institucioni që ai drejton rikonfirmoi mbështetjen për shtetin e Shqipërisë, ndërkaq tha se si institucion i arsimit të lartë, vazhdimisht do të kontribuojë me aq kapacitete akademike dhe profesionale sa ka UBT.
“Kjo konferencë duhet të shërbejë si reflektim në aspektin akademik dhe profesional, pra tashmë në këtë drejtim duhet të involvohen edhe teknologjitë e reja sepse janë të nevojshme në këtë proces, por sigurisht konsideroj që duhet të krijohen procese dhe studime të mirëfillta, njëherësh mendoj që debate të tilla më shumë se kurrë janë të nevojshme. Marrja e rekomandimeve dhe konkluzioneve nga profesorë të UBT-së dhe inxhinierët e pranishëm, ndihmon në zvogëlimin e efekteve dhe pasojave në raste të tilla të tragjedive”, vlerësoi rektori Hajrizi.
Ai tha se UBT është qendër rajonale akademike që diplomon profesionistë në fushën e ndërtimtarisë dhe infrastrukturës, diplomë që ka vlerë të barabartë me vendet e BE-së dhe gjerë. Sipas rektorit Hajrizi, institucioni po nxjerr kuadro falë studimeve cilësore, të cilët do praktikojnë peofesionin në bazë të standardeve evropiane.
Duke falënderuar profesorët e UBT-së dhe inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës në Kosovë, për ndihmën e dhënë në aspektin akademik e profesional, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se pas kësaj ngjarje duhet veprohet nga organet kompetente për të përmirësuar cilësinë e ndërtimeve.
“Tërmeti nuk parashikohet dhe nuk mund të parandalohet, por efektet janë të parandalueshme. Ky debat u organizuar dhe bëri bashkë inxhinierë, profesorë dhe studentë, për të dhënë konkluzione. Ka ardhur koha që tashmë të veprojmë si komb. Bashkërisht do duhej të punojmë në koncepte dhe të bashkëveprojmë për të minimizuar dëmet siç i patëm në tërmetin e fundit në Shqipëri. Duhet të bashkohemi për të hartuar projekte të përbashkëta në nivel kombi”, theksoi ambasadori Minxhozi.
Zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, e vlerësoi faktin që një institucion arsimor, siç është UBT-ja, ku është i vetmi që ka dhënë kontribut akademik dhe dhënie të ekspertizave profesionale për rastin në Shqipëri, por edhe në organizimin e konferencave me tematika shumë të rëndësishme.
Ai tha se ekzistojnë ligjet përkatëse si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, që do të duhej të zbatohen në përpikmëri nga ndërtuesit e ndërtimeve të ndryshme.
“Tërmeti në Shqipëri ka qenë ngjarje e dhimbshme dhe na ka tronditur që të gjithë, shkaktoi kaos të madh, por çka pas këtij tërmeti. Në kudër të mobilizimit të ministrisë ku veproj, së bashku me UBT-në ne dërguam atje ekspertë tanë për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve, por vërtetë ka qenë tragjedi e madhe me pasoja të rënda. Këto pasoja ndjehen edhe në Kosovë, por ligjet janë aq të përpikta saqë shumë pak gjetën zbatim në praktikë nga ndërtuesit”, tha zv.ministri Kadriu.
Inxhinierja nga Shqipëria, prof.,dr Luljeta Bozo, theksoi rëndësinë e sigurisë së objekteve në Kosovë, por me theks të veçantë në Shqipëri, ku tha se ka mungesë të kuadrit ligjor e institucional për kontrollimin dhe mbarëvajtjen e ndërtimeve.
Sipas saj, objektet e rrënuara në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kanë pasur probleme dhe kanë qenë të ndërtuara në zona ku nuk duhej të ndërtohej, si zona e kënetës dhe e plazhit.
“Tërmeti i fundit në Shqipëri ishte i cekët dhe afër qendrave të banuara me njerëz në Tiranë dhe në Durrës, por nuk ishte i një inteziteti aq të lartë sa të shkaktojë aq viktima. Problemi është se kjo ndodhi për shkak të shkeljeve të rënda në procesin e ndërtimit, sepse një objekt i projektuar drejt rrallë pëson gjë. Shqipëria ndodhet në zonën që quhet Brezi i Zjarrtë, që është gjithë zona e mesdheut, dhe është kufiri ndarës i dy pllakave, Euroazisë me Afrikën, dhe në këtë zonë 25% e tërmeteve ndodhin në botë. Pra, njerëzit duhet të kuptojnë që jemi në zonën ku do të ketë lëkundje herë pas here. Kjo fatkeqësi e rëndë lidhet ngushtë me gabimet në dhënien e licencës apo lejeve të ndërtimit, ku këto leje janë dhënë pafund dhe në baza miqësie. Pra, konkretisht mos zbatimi i ligjit të ndërtimit, gjithnjë do të shkaktojë kaos të madh”, theksoi inxhinierja Bozo.
Në këtë konferencë foli edhe Hajriz Sejdiu, nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave. Sejdiu tha se vlerësimi i rrezikut është bazamenti i çdo intervenim.
“Vlerësimi i rrezikut është bazamenti i një intervenimi. Ne duhet të shohim sesa jemi të përgatitur në rast tërmeti. Ne duhet t’i koordinojmë faktorët tonë që të menaxhojmë sa më mirë në rast të situatave tona. Kemi sfida dhe kemi ngecje në gatishmërinë tonë”- tha Sejdiu.
Ndërkaq nënkolonel Ejup Maqedonci nga Forca e Sigurisë së Kosovës njoftoi se FSK është një nga forcat më profesionale. Sipas kolonel Maqedoncit fokusi i miqve ndërkombëtar ka qenë që Forca e Sigurisë, të trajnohet për intervenime të shpejtë.
“FSK është një ndër forcat më profesionale në rajon për reagim. FSK ka kaluar nëpër shumë faza të tranzicionit. Fokusi i miqve ndërkombëtar ka qenë që të na trajnoj ne si forcë për intervenime të shpejta dhe kjo na ka bërë që të jemi të perfeksionuar për këso raste”, ka thënë Maqedonci.
Në emër të grupit të UBT-së që qëndruan në Durrës për vlerësimin e objekteve pas tërmetit, prof.dr Visar Krelani dhe prof. Arsim Rapuca, gjatë konferencës prezantuan të gjeturat dhe rezultatet e vlerësimit të objekteve dhe shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, me magnitutë 6.4 shkallë rihter