Zyra për Çështje Studentore lehtëson shërbimet për studentët

07/03/2017

Me qëllim të përkrahjes, ofrimit të ndihmës dhe orientimit të studentëve, në UBT është themeluar Zyra për Çështje Studentore dhe IT  , në mënyrë që studentët të jenë të përkrahur gjatë tërë procesit të studimeve në këtë institucion.


Menaxheri i ZQS-së në UBT, Murat Retkoceri vlerësoi se pasuria më e madhe janë studentët, prandaj sipas tij, UBT po mundohet vazhdimisht të krijojë lehtësi për ta.

“Qëllimi ynë është që t’i përkrahim dhe t’i ndihmojmë studentët tanë gjatë tërë procesit të studimeve, por edhe pas tyre”, tha ai, teksa përmendi fazat nëpër të cilat kalon puna e kësaj zyre.

“Puna jonë ndahet në tri faza, të cilat përfshijnë periudhën e regjistrimit të të rinjve, pastaj është faza e kryerjes së punëve gjatë vijimit të ligjëratave, si dhe ajo që kryhet gjatë procesit të diplomimit”.

 Duke treguar për historikun e themelimit të kësaj zyre, Retkoceri theksoi se puna filloi me një njeri të vetëm, teksa sipas tij, me rritjen e numrit të studentëve, u shtua edhe nevoja për të rritur stafin administrativ.

“Sektori ynë është themeluar tash e 15 vjet dhe është rritur së bashku me UBT-në. Ka filluar me një person, kurse tash jemi gjithsej 17 persona, duke i përfshirë edhe ata që funksionojnë dhe punojnë nëpër degët e UBT-së në qytetet e tjera”, tha ai.


Me rritjen e numrit të studentëve, është ngritur edhe nevoja për evoluimin dhe gjenerimin e punëve që kryhen në kuadër të ZQS-së, si rezultat i kësaj, Retkoceri vlerësoi se UBT ka shënuar progres të madh në përmirësimin e shërbimeve që i ofrohen studentëve.

 

“Suksesi më i madh i UBT-së është se studentët nuk kanë nevojë të presin në radhë për dokumente, por u ofrojmë shërbime të menjëhershme, me ç’rast në këtë aspekt janë përmirësuar edhe platformat elektronike SMIS dhe Moodle, ku studentët i paraqesin provimet dhe e pranojnë vlerësimin e punës së tyre nga distanca, përkatësisht ata pajisjen me material akademik, të nevojshëm në lëndët përkatëse”, tregoi ai, duke shtuar se ky proces i ndryshimit të funksionimit, po u shërben për të mirë edhe profesorëve.


“Këtë vit kemi lansuar modulin e profesorëve për shkarkime të procesverbaleve dhe për vendosjen e notave, gjatë një periudhe kohore, të caktuar nga Zyra për Çështje studentore, proces ky që krijon lehtësi për profesorët, sa i përket mënyrës së vlerësimit”.


Zyra për Çështje Studentore dhe IT e UBT-së, sivjet ka shënuar 15 vjetorin e funksionimit, teksa në kuadër të saj ofrohen shërbime që kanë të bëjnë me informimin e studentëve me drejtimet e UBT-së, me mundësitë që ofrohen në to, pastaj merren me pajisjen e studentëve me ID kartela, me njoftimet për orarin e mësimit, bëjnë hapjen e afatit të provimeve në sistem, njoftimin e studentëve për afatin dhe datat e provimeve, pajisjen e studentëve me dokumente të ndryshme, në varësi të kërkesave të tyre, pastaj me pranimin e kërkesave të studentëve për mbrojtjen e temave të diplomës, si dhe me krijimin e formularit mbi përshtypjet e studentëve për UBT-në, marrjen e informatave prej ish-studentëve, lidhur me sistemimin e tyre nëpër vende të punës etj.