Zëvendësministrja Anila Statovci-Demaj flet për raportin Kosovës-BE

08/05/2017

Raporti midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës ishte tema e ligjëratës së zëvendësministres së Ministrisë për Integrime Evropiane, në Kosovë, Anila Statovci-Demaj, sot UBT.


Ligjërata, e mbajtur në shënim të Ditës së Evropës, i është dedikuar procesit të integrimit evropian, në fokus për proceset e zhvilluara për integrimin e Kosovës në BE.


Zv.ministrja Statovci me theks të veçantë ka folur për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se rinegociimi i marrëveshjes me BE-në është proces i pamundur. Në këtë drejtim ajo ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes në negocim të marrëveshjeve.


Sipas saj, në bazë të vlerësimeve dhe dëshmive aktuale, demarkacioni është vijë kufitare e konfirmuar. Ajo tha se përkufizimi i kufirit ka qenë një kriter për Malin e Zi, sepse në këtë mënyrë do të pranohet në NATO, por njëkohësisht është kriter edhe për Kosovën.


Statovci-Demaj theksoi edhe faktin se Kosova duhet të ketë përgjegjësi në rastin kur lidh marrëveshje ndërkombëtare. Ajo tha se Kosova duhet të ketë vëmendje të madhe në momentet kur negociohen marrëveshjet në BE, sepse kjo varet shumë se sa tregohemi seriozë në rrugën evropiane.


Ajo shtoi se BE investon shumë për këto negociata dhe është shumë e vështirë të rinegociohen këto marrëveshje.


Ndërkohë Statovci ka përmendur të arriturat kryesore gjatë procesit të Kosovës drejt integrimit në BE. Ajo ka thënë se është dëshmuar që Bashkimi Evropian është i interesuar që ta çojë vendin tonë përpara.


Ndërkohë, sipas saj, agjenda evropiane është një ndër agjendat më të rëndësishme që ka Kosova dhe se procesi i integrimit të saj në BE ka pasur një dinamikë të zhvillimit.


“BE-ja është e interesuar që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i mbajë nën ombrellën e vet. Mendoj që këtë e ka, si dhe do ta ketë prioritet parësor”, ka thënë ajo.


Ligjërata e zëvendësministres Anila Statovci-Demaj është organizuar në kuadër të aktivitetit “Java e Evropës në UBT”, që po mbahet për nder të Ditës së Evropës, që shënohet më 9 maj.