Zëvendësdrejtori Financiar në Korporatën Meridian Express, Ibrahim Salihaj zhvilloi një ligjëratë tematike me studentët e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT

08/12/2023

Zëvendësdrejtori Financiar në Korporatën Meridian Express, njëherit ligjërues i programeve të kontabilitetit, Ibrahim Salihaj, ka zhvilluar një ligjëratë tematike me studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT.

Në kuadër të lëndës “Kontabilitet i Avancuar”, me bartës profesorin Artan Haziri, studentët patën rastin të njihen me përdorimin e softwar-ve të kontabilitetit dhe aplikimin e tyre në praktikë.

Tema e cila u shtjellua gjatë këtij takimi ishte “Rëndësia e një softwari të Kontabilitetit dhe aplikimi praktik”, me qëllim integrimin e qasjes teorike me atë praktike me rastin e mbulimit të problemeve të ndryshme nga lëmia e kontabilitetit.

Gjatë diskutimit me studentë, Salihaj ka shpalosur përvoja nga biznesi aktual dhe ndikimin e të gjitha transaksioneve të korporatës në pasqyrat financiare dhe efektin e tyre tek pagesa e tatimeve.

Gjatë kësaj ligjërate, Salihaj ka integruar përvojën e tij në trajtimin e problemeve të ndryshme nga fusha e kontabilitetit dhe zbatimin e tyre në software. Ai ka cekur që të gjitha konceptet teorike që janë zhvilluar me herët gjejnë zbatim në software duke i zbatuar disa nga ato.

Njëherit theksoi se njohja e gjuhës së biznesit (kontabiliteti) e bënë të lehtë zbatimin pastaj në çdo program të kontabilitetit.

Temat e diskutuara dhe mbuluara gjatë mbarëvajtjes së diskutimit me studentë ishin frytdhënëse dhe ngjallën interesimin e tyre për njohjen sa më të thellë të regjistrimeve kontabël në software.