“Youth Talk” në Pejë: Promovimi i Qëndrueshmërisë Kulturore dhe të Turizmit në Kosovë
30/05/2023Në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë u mbajt eventi i përmuajshëm “Youth Talk” në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë në Kosovë, ku u fol rreth “Sustainable tourism and culture” (Qëndrueshmërinë kulturore dhe të turizmit), me ç’rast u promovua edhe Agjenda 2030.
Panelistët e këtij eventi ishin: Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë, Xhenet Syka, udhëheqësja e Sektorit të Turizmit në Swisscontact, Blerina Batusha Xërxa, si dhe nga “Regional Development Agency – West”, Sokol Luta.
Me përvojën e saj në drejtimin e sektorit të kulturës dhe sportit në qytetin e Pejës, Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka, solli perspektivën lokale dhe adresoi sfidat dhe mundësitë e qëndrueshme në fushën e turizmit.
Udhëheqësja e Sektorit të Turizmit në Swisscontact, Blerina Batusha Xërxa, kishte njohuri të thella dhe përvojë në fushën e turizmit dhe ofroi një perspektivë të gjerë dhe ndërkombëtare mbi rëndësinë e qëndrueshmërisë në zhvillimin e turizmit.
Përvoja dhe njohuritë e Sokol Lutës nga organizata ” Regional Development Agency – West ” siguruan një perspektivë të vlefshme dhe praktike për të arritur qëllimet e qëndrueshme në turizëm.
Ky panel diskutimi ishte një rast i rëndësishëm për të promovuar ndërgjegjësimin rreth qëndrueshmërisë kulturore dhe të turizmit në Kosovë, dhe për të inkurajuar të rinjtë të angazhohen në ndryshimin e qëndrueshëm të vendit të tyre.