Vizita zyrtare në Gjakovë: Bashkëpunimet dhe projektet e UBT-së në fokus

29/02/2024

Me ftesë nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe me organizimin e profesorit Fuat Pallaska nga UBT, me përfaqësim të lartë nga ana e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Pro-rektorit Prof. Dr. Binak Beqaj dhe Dekanit të Fakultetit të Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Prof. Visar Krelani, është realizuar një vizitë zyrtare në këtë komunë.

Në takimin e parë delegacioni nga UBT u mirëpritën nga kryetari i Gjakovws, Ardian Gjini dhe përfaqësues të institucioneve të qytetit, dhe me këtë rast u bë një rezyme mbi të arriturat e fundit, projektet dhe planifikimi i realizimit të tyre, duke përfshirë projektet vitale të këtij qyteti.

Rektori Hajrizi prezantoi mundësitë që UBT mund të ofrojë për ndihmë në këtë komunë, si me Institucionin e Planifikimit Urban dhe fakultetet e ndryshme që mund të përmirësojnë punën e kësaj komune duke përfituar të dyja palët. Koordinimi u realizua duke planifikuar një takim të afërt edhe nga Kryetari Gjini në Kampusin e UBT-së.

Vizita e dytë u bë te Ngrohtorja e Qytetit të Gjakovës, e përfunduar në vitin 2021, e cila paraqet një projekt vital me teknologji unike në Ballkan dhe aplikim të Biomases ose Copëzave të drunjve si mbeturina të prodhimit.

Në këtë takim u prezantuan në detaje idetë dhe projektet për të ardhmen nga Drejtori i Ngrohtores, Blerim Halilaj dhe stafi i kësaj Kompanie, ndërsa u realizua edhe një vizitë e detajuar në të gjitha kaldajat dhe pjesët përbërëse të Ngrohtores.

Vizita pasoi edhe tek projekti tjetër vital, i cili tashmë është në përdorim si Trajtimi i Ujërave në Gjakovë. Edhe në këtë objekt, përfaqësuesit e UBT-së u pritën nga Drejtori i Trajtimit të Ujërave, Visar Hasi me stafin e tij. Po ashtu u dhanë shpjegime nga Fjolla Laskaj, e cila në detaje shpjegoi procesin deri tek arritja e pastrimit të ujit dhe derdhja e tij në lumin Erenik në gjendje shumë të mirë dhe të pastër.

Përfaqësuesit nga UBT vizituan në detaje secilën pjesë të fabrikës dhe u propozua të realizohet një memorandum bashkëpunimi për këtë fushë me rëndësi, ku përfshihen Ndërtimtaria, Kimia dhe Mjedisi, së bashku me Inxhinierinë e Energjisë, Mekatronikën dhe Shkencat Kompjuterike.

Një vizitë rasti u realizua edhe në Kompaninë KOBE, ku drejtori i kësaj kompanie, Zenun prezantoi produktet e tij unike në Kosovë.

Fryma e takimeve ishte shumë pozitive dhe në këtë mënyrë do të vazhdohet drejt realizimit të bashkëpunimeve dhe projekteve të përbashkëta në të mirë të komunitetit, studentëve dhe institucioneve përkatëse.