Vdes studenti i UBT-së si pasojë e COVID-19, rektori Hajrizi ngushëllon familjen

30/07/2020

Virusi COVID-19 i ka marrë jetën mbrëmë të riut nga Kamenica, Bersant Rahimaj, i cili ka qenë student i shkëlqyer në Fakultetin e Arkitekturës në UBT.

 

Bersanti ndërroi jetë pasi nuk arriti t’i bëjë ballë këtij virusi, me ç’rast rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Rahimaj.

 

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin që studenti jonë, Bersanti, humbi betejën nga virusi COVID-19. Bersanti ishte një djalë i ri që kishte ambicie dhe arritje të shumta profesionale, mbi gjitha ishte student i dalluar në fushën arkitekturës. Kosova humbi një profesionist në formim e sipër, familja humbi më të dashurin e tyre, me ç’rast, në emër të UBT-së, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të rektorit Hajrizi, drejtuar familjes Rahimaj.

 

Rektori Hajrizi me theks të veçantë u ka bërë apel qytetarëve të Kosovës, që të respektohen masat dhe rekomandimet kundër COVID-19 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës. Ai theksoi se secili duhet t’u përmbahet rekomandimeve në mënyrë që ta ruajmë vetën, të afërmit dhe të tjerët.