Vazhdon konkretizimi i projekteve urbanistike të studentëve të Arkitekturës, të realizuara në ANV

20/07/2017

Studentët pjesëmarrës në Akademinë Ndërkombëtare Verore, të organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, vazhduan me konkretizimin e ideve të tyre në aspektin e menaxhimit, planifikimit dhe dizajnimit të një lokacioni real, që në këtë rast është rruga “Rexhep Krasniqi”, në lagjen Kalabria të Prishtinës.

 

Për të realizuar detyrën e tyre, studentët morën instruksione dhe këshilla nga profesori në UBT, dr. sc Binak Beqaj dhe asistentja Vlora Aliu, teksa puna e tyre kaloi nëpër disa faza, duke përfshirë, analizimin e lokacionit të zgjedhur, përcaktimin e objektivave zhvillimore të zonës, rregullimin e strukturave menaxhuese, përgatitjen e planit dinamik, si dhe planifikimin e dizajnimin.

 

Përmes këtij projekti, parashihet që studentët të ofrojnë zgjidhje reale të problemeve që dalin nga mosfunksionimi i kësaj rruge që është marrë si rast studimi, me ç’rast do të ofrohen ide konkrete për përmirësimin e cilësisë së rrugës, rregullimin e hapësirave të gjelbëruara, parkingjeve dhe ndriçimit përreth këtij lokacioni , si dhe krijimin e funksioneve tjera plotësuese, që do të shërbejnë për lehtësimin e punës së studentëve në procesin akademik.

 

Prezantimi i projekteve finale të studentëve do të bëhet nesër, në ditën përmbyllëse të kësaj akademie, teksa pas shqyrtimit brenda UBT-së, ato do t’i prezantohen Komunës së Prishtinës dhe do të shikohet mundësia e implementimit të tyre, në mënyrë që përfitimet e komunitetit të jenë të shumanshme.