Vazhdon aktivitetin ANV e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes – diskutohet për aktivitetet fizike dhe sportin si promotor
15/07/2021Dita e dytë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes ka filluar me diskutimin e profesorëve Paolo Parisi dhe Masar Gjaka për programin e ri bachelor të UBT-së në Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes, ndërlidhjen unike dhe mundësitë që studentët potencial do t’i kenë në këtë program studimi.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes ka vazhduar me ligjëratën e profesorit Abedin Bahtiri me temë: “Isokinetic Testing in Sport”, duke shtjelluar rëndësinë dhe rolin që ka ky lloj testimi në sport, teksa profesori Masar Gjaka ka ligjëruar për të pranishmit rreth llogaritjes së nevojave makronutriente për shëndetin dhe për performancën sportive.
Për fuqinë e sipërme eksplozive të trupit dhe për fëmijët dhe aktivitetin fizik të tyre kanë folur profesorët Enver Tahiraj, respektivisht Nagip Lenjani, duke shtjelluar secilën temë veç e veç në detaje, nga një pikëpamje më ndryshe dhe përvojë profesionale e secilit profesor.
Profesori Artan Kryeziu mbylli ditën e dytë të ANV-së së Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes me ligjëratën rreth shpejtësisë specifike sipas pozicioneve në basketboll.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes është duke u zhvilluar në kuadër të “Global UBT Fest 2021” dhe ditëve në vijim do të ketë aktivitete të tjera interesante, duke përfshirë edhe gara në futsal.