Ulrike Lunaçek vizitoi sot UBT-në, tha se në Qeverinë e Kosovës duhet të ketë më shumë gra

10/11/2015

Në Qeverinë e Kosovës duhet të ketë më shumë gra dhe burrat duhet të mësohen me praninë e tyre në qeveri dhe në pozicione udhëheqëse. Kështu u shpreh sot zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën e këtij institucioni, zonja Ulrike Lunaçek, gjatë një fjalimi në konferencën “Aspektet gjinore dhe Ekonomia”, organizuar në UBT.


Në fillim të konferencës, e cila mblodhi përfaqësues nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi përshëndeti pjesëmarrjen e zonjës Lunaçek në konferencë dhe vizitën e saj në UBT, për t’u njohur me zhvillimin e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Duke folur për temën e shtruar për trajtim në konferencë, rektori Hajrizi theksoi se në aspektin gjinor shohim shumë potencial për të gjeneruar kompetencë e inovacion dhe shtoi se barazia gjinore në ekonomi do të ndihmojë në përmirësimin e çështjeve gjinore në përgjithësi.

 

Ai tha se ka shumë potencial, sidomos në arsim, duke përmendur se në UBT rreth 50 për qind e stafit akademik janë femra. Ai shtoi se UBT do të bëjë gjithnjë e më shumë për të përkrahur ndërmarrësinë e grave.

 

UBT, tha Hajrizi, është një nga shkollat më të mëdha në vend dhe në rajon dhe fokusi ynë në të ardhmen do të jetë gratë në epokën e digjitalizimit.

 

Ne një fjalim më të gjatë, konferencës iu drejtuar zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën e këtij institucioni, zonja Ulrike Lunaçek.

 

E çmoj shumë faktin që kjo konferencë po zhvillohet këtu. Ajo është e fokusuar në rolin e burrave dhe grave në ekonomi, si dhe perspektivën e shoqërisë, për shkak se ekonomia është një nga bazat se si funksionojnë shoqëritë dhe nëse nuk kemi gratë dhe burrat që i ndajnë detyrat bashkërisht në jetën private dhe në jetën publike, madje edhe në jetën ekonomike, atëherë shoqëritë janë të pabalancuara, tha Lunaçek.

 

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që çështjet gjinore të jenë si fokus edhe në ekonomi. Sa gra i shohim në pozita udhëheqëse në ekonomi dhe në industri. Ende është ai rregulli i pashkruar që burrat udhëheqin biznesin dhe kjo gjë duhet të ndalet një ditë dhe të sigurohemi se gratë kanë pjesëmarrje të barabartë në jetën publike.

 

Nuk ka as burrë as grua në këtë botë që lind me gjithçka të parashkruar për jetën e tij. Sigurisht që mësojmë vetë, mësojmë nga të tjerët, na ndihmon nëse prindërit tanë kanë gjendje të mirë financiare, nuk ka luftëra, ka qeverisje të mirë. Gjithçka ndihmon në përmirësimin e jetës së grave dhe të burrave. Mirë, në thelb, varet çka ne dëshirojmë të bëjmë dhe ajo është arsimimi, shtoi ajo.

 

Shkollimi është një nga fundamentet e shoqërisë. Pa shkollim nuk mund të shkoni askund. Arsimi ka rol kyç në jetën e njeriut e sidomos te gratë. Është më rëndësi që gratë të shkollohen mirë, sepse shumë vende të botës kanë ligje të mira, madje edhe Kosova ka ligje të mira për pjesëmarrjen e grave, madje edhe për të drejtat pronësore, për trashëgiminë. Këto ligje ekzistojnë, mirëpo çka nëse gratë nuk i dinë të drejtat e tyre, nuk janë të arsimuara, nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre, tha ajo, për të shtuar se duhet të shkollohemi që t’i dimë të drejtat tona, të dimë si t’i fitojmë ato të drejta, të dimë nëse diskriminohemi apo diçka tjetër.

 

Kur jemi te ekonomia, Lunaçek tha se duhet të mësojmë pse shoqëritë funksionojnë në këtë mënyrë që ende funksionojnë. Kjo ka të bëjë më ndarjen e roleve shoqërore në gjini. Vajzat nuk thonë shpesh: Unë e dëshiroj këtë! Ka shumë vajza që e thonë këtë, por ato shumë shpesh shohin çfarë thonë të tjerët, çfarë duhet të bëjnë për dikë tjetër, duke e vendosur veten në nivel të dytë. Kemi nevojë për më shumë balancim, që djemtë të mos e vendosin gjithmonë veten në qendër. Tradicionalisht, jo vetëm në Kosovë, është burri që punon dhe gruaja në shtëpi që kujdeset për familjet. Por, fatmirësisht gjërat kanë filluar të ndryshojnë.

 

Zonja Lunaçek e vuri theksin te nevoja që gratë të kenë pavarësi ekonomike, në mënyrë që, bashkë me burrat të përparojnë bashkë në shoqëri. Ajo tha se kemi nevojë për kuota në universitet, në ekonomi, në qeveri, që nuk i kanë shumë vende. Edhe gruaja ka arsimim, edhe ajo është e aftë të mbajë një punë dhe ta kryejë atë me sukses. Diskriminimi tani më nuk pranohet, mund të thuhet se edhe dënohet.

Duhet patjetër me ligj të jenë të barabartë të gjithë dhe që gratë një jetë më të mirë. Pse jo edhe gratë të jenë ministre? Kemi nevojë për më shumë gra në qeverinë e Kosovës. Edhe burrat duhet të mësojnë që të kenë afër tyre edhe gratë, tha Lunaçek.

Në fund, porosia e saj për gratë ishte që ato të pasurohen, të mësojnë, të përfitojnë.

 

 

Si gra dhe si femra arrini qëllimet e juaja ngase askush nuk ka të drejtë t’jua mohojë këtë, përfundoi Lunaçek.