Ueb faqja e UBT-së suksesshëm përballon testimin e hakerëve për shkyçje nga sistemi
28/03/2019Hakerë nga e mbarë Kosova kanë simuluar dhe suksesshëm realizuan testime në ueb faqen e institucioneve të ndryshme, teksa pa sukses rezultoi tentimi DDOS për të ndalur nga shërbimi ueb faqen e UBT-së.
Ueb faqja e UBT-së nuk ka dal nga shërbimi përkundër sulmit të testuar, për faktin se mirëmbahet nga ekspertë të industrisë, të cilët suksesshëm mbrojnë sigurinë dhe privatësinë në ueb faqen zyrtare të institucionit.
Këto demonstrime janë realizuar me aprovimin e institucioneve përkatëse në kuadër të punëtorisë “BLACK HAT 1.0”, me ç’rast morën pjesë ekspertë dhe hulumtues të kësaj fushe.
Përveç simulimeve që u zhvilluan drejtpërdrejtë, në kuadër të kësaj punëtorie pjesëmarrësit kanë prezantuar edhe të gjeturat e fundit të hulumtimeve në fushën e sigurisë së informacionit në vend. Tutje, ata kanë folur gjerësisht për rreziqet me të cilat po përballen ueb faqet e institucioneve publike dhe private, si dhe për tendencat e hakerëve për të hakuar përmbajtje të caktuara.
Kryetari i komunitetit “Cyber Security and Privacy”, Mentor Hoxhaj, ka thënë se ky është aktiviteti i parë i këtij lloji në Kosovë, që ka për qëllim të frymëzojë profesionistët e të rinjtë dhe ti inkurajojë që të bashkëpunojnë për ngritje të vetëdijesimit për sigurinë e informacionit.
Ndërkaq, përfaqësuesi i UBT-së, prof.dr Besnik Skenderi ka theksuar se UBT ka programin më të madh në Ballkan të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë dhe për Sistemet e Informacionit, me mbi një mijë studentë që regjistrohen në vitin e parë.
Sipas Skenderit, ky është një tregues që institucioni përveç që ka angazhuar staf profesional, UBT është referencë e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, dhe është lider në fushën e teknologjisë.
Gjithashtu, hakerët dhe ekspertët e kësaj fushe prezantuan edhe teknika dhe praktika inovative të sigurisë.