Fjalimi i Rektorit

Të nderuar studentë, profesorë, miq të UBT-së,

 

UBT nuk është thjesht një institucion arsimor – është një lëvizje, një forcë transformuese që ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si mësojmë, si krijojmë dhe si ndërtojmë të ardhmen. Nga ditët e para, sfidat nuk kanë munguar, por as guximi për t’i tejkaluar ato.

 

Qëllimi ynë ka qenë i qartë që nga fillimi: të krijojmë një sistem arsimor modern, të lidhur me botën, i cili i ofron të rinjve tanë mundësinë të konkurrojnë në çdo treg global. Ne ishim të parët që sollëm programe të reja studimi, të parët që ndërtuam ura bashkëpunimi ndërkombëtar dhe të parët që sollëm inovacionin në çdo hap të zhvillimit tonë.

 

Gjatë viteve, kemi ndërtuar një universitet që nuk njeh kufij. Ne kemi bashkëpunuar me mbi 500 institucione akademike dhe shkencore anembanë botës, kemi sjellë profesorë të shquar nga universitetet më të mira ndërkombëtare dhe kemi krijuar programe studimi që plotësojnë kërkesat e tregut të punës në epokën digjitale.

 

Por, UBT nuk është vetëm arsim dhe shkencë. Është një hapësirë ku idetë bëhen realitet, ku projektet inovative shndërrohen në biznese, dhe ku studentët tanë bëhen liderë të së nesërmes. Me qendrat tona të ekselencës, laboratorët modernë dhe investimet e vazhdueshme në teknologjinë më të fundit, ne po e ndërtojmë një ekosistem ku dijetari, sipërmarrësi dhe inovatori ecin krah për krah.

 

UBT është vendosur si një lider në cilësi, inovacion dhe teknologji, duke ndërtuar mbi 500 partneritete me institucione prestigjioze në mbarë botën. Kjo është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të krijuar mundësi për studentët dhe akademikët tanë që të ndërveprojnë me mendjet më të mira globale. Partneritetet tona kanë shtrirje të gjerë, duke përfshirë shkëmbime akademike, projekte kërkimore dhe inovacione të përbashkëta që ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë moderne.

 

Një tjetër tregues i qartë i cilësisë së arsimit që ne ofrojmë janë rangimet dhe çmimet ndërkombëtare që kemi marrë. UBT është ranguar për inovacion, inteligjencë artificiale dhe revolucionin e katërt industrial në WURI, ndërsa është njohur nga SCImago si institucioni më i mirë privat në trojet shqiptare për vitin 2024. Kjo është një arritje e madhe që pasqyron përpjekjet tona të vazhdueshme për të qenë në ballë të zhvillimeve shkencore dhe teknologjike.

 

Në të njëjtën kohë, UBT është pozicionuar në mesin e Top 200 Universiteteve më të mira në botë për luftën ndaj Ndryshimeve Klimatike nga GreenMetric World University Ranking 2024. Ky vlerësim thekson përkushtimin tonë për krijimin e kampuseve të gjelbra dhe për zbatimin e praktikave të qëndrueshme mjedisore, duke kontribuar në një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

 

Rritja e vazhdueshme e UBT-së në renditjet botërore, si dhe çmimi prestigjioz “Europian Young Entrepreneurial University of the Year” nga Triple E Awards në Lisbonë, dëshmojnë nivelin e lartë të përkushtimit tonë ndaj sipërmarrësisë, inovacionit dhe edukimit cilësor. Gjithashtu, pozicionimi ynë i fortë në platformën “Webometrics” për numrin e citimeve të publikimeve të stafit tonë është një tjetër dëshmi e ndikimit që ne kemi në kërkimin shkencor dhe në përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

 

Përveç kësaj, ngritja prej 3 mijë vende në renditjen e Institucioneve të Arsimit të Lartë për vitin 2024 dhe renditja e UBT-së në mesin e nëntë kompanive më të mira në botë për cilësi nga EFQM tregon nivelin e lartë të performancës dhe cilësisë së institucionit.

 

UBT është vlerësuar edhe për impaktin e saj pozitiv në shoqëri, duke u renditur në nivel të lartë në Edicionin e Vlerësimit të Ndikimit Pozitiv 2021 dhe duke u ranguar në mesin e universiteteve më të mira në botë nga Times Higher Education. Kjo tregon se UBT nuk është vetëm një institucion i arsimit të lartë, por një shtyllë kryesore e ndryshimit dhe inovacionit në shoqërinë kosovare dhe mbarë rajonin.

 

Mundësitë që ne ofrojmë tejkalojnë ato të shumë institucioneve të tjera, duke ju hapur dyert për të konkurruar dhe kontribuar në skenën globale.

 

Por historia jonë nuk përfundon këtu. E ardhmja është plot mundësi, dhe ne do të vazhdojmë të shtyjmë kufijtë e dijes dhe inovacionit. Do të vazhdojmë të ndërtojmë qendra të reja të teknologjisë, të sjellim programe edhe më të avancuara, dhe të krijojmë një UBT që jo vetëm e ndjek trendin global, por e udhëheq atë.

 

Sot, më shumë se kurrë, UBT është krenaria e Kosovës dhe një burim shprese për gjeneratat e ardhshme. Sepse suksesi ynë është suksesi i studentëve tanë, i profesorëve tanë dhe i të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e dijes për të ndryshuar botën.

 

Ju faleminderit!

————————————————–

Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së,

Rektori, Prof. Dr. Edmond HAJRIZI