UBT zyrtarisht hap Qendrën për Realitet Virtual dhe të Shtuar “EON Reality, Augmented and Virtual Center”
17/09/2021Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, dy gjigantë nga dy fusha të ndryshme, njëri nga teknologjia virtuale e njëri nga arsimi, “EON Reality” dhe UBT, kanë inauguruar Qendrën për Realitet Virtual dhe të Shtuar “EON Reality, Augmented and Virtual Center”, qendër kjo më e madhja dhe e vetmja në Ballkan.
Në ceremoninë solemne të inaugurimit të kësaj qendre pjesëmarrës ishte rektori njëherit edhe themelues i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, presidenti i kompanisë gjigante të teknologjisë virtuale “EON Reality”, Dan Lejerskar, ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, hapjen e kësaj qendre të madhe virtuale e vlerësoj si shumë të rëndësishme për Kosovën dhe të rinjtë në vendin tonë, duke thënë se kjo qendër do të jetë në shërbim të të rinjve në fushat e edukimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
“Ne jemi duke përmbyllur një investim 30 milionë dollarësh dhe me këtë ne mendojmë se do të ketë indikator shumë të rëndësishëm në edukim, në rritje të vendeve të punës, në eksport, poashtu edhe në promovimin e aftësive digjitale të Kosovës në aspektin e inovacionit. Gjeneratat e reja do të mësojnë me teknologjitë më të reja botërore që ndikojnë në krijimin e kompetencave më të qëndrueshme, dhe ky është vetëm fillimi i një epoke digjitale që UBT po e zbaton në Ballkan”, ka thënë rektori Hajrizi.
Presidenti i kompanisë së teknologjisë virtuale “EON Reality”, Dan Lejerskar, u shpreh i lumtur që është edhe njëherë në Kosovë, konkretisht në UBT, kësaj radhe për të bërë inaugurimin e një qendre shumë të rëndësishme për të rinjtë e Kosovës dhe Ballkanit në tërësi, që atyre u kontribuon shumë në zhvillimin e aftësive të tyre për shkencë, teknologji, edukim dhe inovacion, duke theksuar se ky investim do të mund të rritet edhe më shumë viteve të ardhshme.
“Unë jam shumë i lumtur që jam këtu për ta zyrtarizuar këtë qendër. Siç ju e dini, ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme tashmë, dhe më duhet të them se jam i super impresionuar me vullnetin dhe gatishmërinë tuaj, të studentëve dhe stafit të fakultetit për teknologjinë e re. Gjithashtu, jam shumë i kënaqur të ju njoftoj se ne jemi duke diskutuar, dhe kam qenë në gjendje të siguroj fonde shtesë përmes organizatave ndërqeveritare, kështu që një nga arsyet pse jam këtu është që t’i ofroj Kosovës aftësinë për të zgjeruar këtë projekt në një grant prej 150 milionë dollarëve, duke e zgjeruar në nivel kombëtar përmes arsimit dhe inovacionit, duke ndërvepruar me industrinë”, ka thënë presidenti i kompanisë gjigante të teknologjisë virtuale “EON Reality”, Dan Lejerskar.
Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mirëpritur këtë investim të bërë, i cili sipas saj i kontribuon shumë imazhit të vendit, si dhe rinisë kosovare, e cila sipas saj është e përkushtuar dhe ka shumë talent.
“Duke pasur një rini me shumë talent, shumë përkushtim, shumë zotim dhe shumë dëshirë për të mësuar, ky investim është një mesazh që përçon te të gjithë investitorët në Republikën tonë dhe jashtë, sepse tani pas covid-19 janë shumë kriza që kanë ardhur nga disa industri dhe shumë industri rreth botës të cilat krijojnë diversifikim të furnizimeve”, ka thënë ministrja Hajdari.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, ka thënë se inaugurimi i kësaj qendre Kosovës po i sjellë një teknologji të re dhe të dobishme në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovavionit, duke thënë se ky bashkëpunim i UBT-së me “EON Reality” ofron mundësi të reja të pasurimit pedagogjik në klasë.
“Unë sot kam nderin dhe kënaqësinë që të marr pjesë në inaugurimin e Qendrës për Realitet Virtual dhe të Shtuar që sjell në Kosovë një teknologji të re, të dobishme në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit. Përurimi i kësaj qendre sot këtu është sa i nevojshëm e i mirëseardhur për komunitetin arsimor në Kosovë, aq edhe inspirues për ne për shkak se shndërrohet në pikëtakim ku arsimi, teknologjia, inovacioni dhe shkenca bashkëveprojnë për të mirën e komunitetit dhe të gjithë shoqërisë”, ka thënë, zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna.
Nga të gjithë të pranishmit, ky investim u vlerësua si investim madhor dhe i qëlluar duke marrë parasysh zhvillimin e shpejtë të teknologjisë virtuale dhe nevojën e krijuar së fundmi për këtë teknologji në fusha të ndryshme, duke krijuar kështu edhe një botë bindëse dhe shumë atraktive për mësim dhe mundësi të artë për të eksploruar në fusha të ndryshme studimi.
UBT është qendra më e madhe e teknologjisë virtuale në Ballkan, ku këtë platformë dëshiron ta instalojë në sistemin arsimor në Kosovë, me qëllim që gjithë studentët e të gjitha institucioneve arsimore në vend, publike dhe private, të përjetojnë teknologjinë e shekullit 21, njëherësh edhe të përfitojnë aftësitë e duhura në përgatitjen profesionale duke përdorur teknologji si kjo.