UBT zhvillon sistem të bazuar në inteligjencë artificiale për monitorimin dhe parandalimin e zjarreve pyjore në kuadër të projektit ARCA

05/09/2024

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në takimin e projektit “ARCA” në Lecce të Italisë, ku u diskutua për “Platformën e inteligjencës artificiale për parandalimin e rreziqeve natyrore nga ndryshimet klimatike”. Ky projekt synon të zhvillojë një platformë të fuqizuar nga inteligjenca artificiale për monitorimin e ekosistemeve pyjore, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e rreziqeve natyrore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, siç janë zjarret pyjore, stuhitë e erës dhe thatësira.

Projekti përfshin një qasje transnacionale me iniciativa pilot në zona të ndryshme pyjore në disa vende, përfshirë Italinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Në këtë projekt, UBT do të dizajnojë dhe zhvillojë një sistem të bazuar në inteligjencë artificiale për monitorimin dhe vlerësimin e zjarreve në pyje. Ky sistem mundëson kalkulimin e riskut për mundësinë e shfaqjes së zjarrit dhe monitorimin në kohë reale të gjendjes së terrenit përmes teknologjive moderne, si dronë, sensorë, kamera, etj.

“UBT ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e këtyre teknologjive, pasi posedon të gjithë infrastrukturën moderne dhe stafin kompetent për këtë qëllim”, tha Rektori Hajrizi, duke prezantuar njëkohësisht edhe ekosistemin inovativ të mençur të krijuar në këtë rast.

Projekti ARCA do të zgjasë tri vite dhe ka për qëllim forcimin e kapaciteteve inovative në rajon, duke zhvilluar një platformë të qëndrueshme dhe të bazuar në teknologji për mbrojtjen e pyjeve dhe përshtatjen me rreziqet klimatike.