UBT zhvillon sesion informues me maturantët e Gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj

19/02/2025

Në kuadër të aktiviteteve informuese dhe orientuese për maturantët, Qendra e Karrierës e UBT-së realizoi një vizitë në Gjimnazin “Shaban Hashani” në Ferizaj, ku zhvilloi një sesion interaktiv me nxënësit e vitit të fundit.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e UBT-së prezantuan programet e avancuara të studimit, të cilat janë të dizajnuara sipas standardeve më të larta akademike dhe me qasje praktike në tregun e punës. Po ashtu, u diskutuan mundësitë për bursa dhe mobilitete ndërkombëtare përmes programeve si Erasmus+, të cilat u japin studentëve shansin për të studiuar në universitetet më të njohura në Evropë.

Një nga pikat kryesore të këtij sesioni ishte informimi mbi perspektivat e punësimit, duke theksuar se UBT jo vetëm që ofron arsim cilësor, por gjithashtu krijon ura lidhëse mes studentëve dhe industrisë përmes praktikave profesionale dhe mundësive të shumta të angazhimit në projekte inovative.

Maturantët e pranishëm u treguan të interesuar për drejtimet akademike, duke shtruar pyetje mbi lëndët, praktikat laboratorike dhe rrugët e karrierës që ofron UBT. Ky sesion informues u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar të rinjtë në marrjen e vendimeve të duhura për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.