UBT vlerëson lartë kontributin e delegatëve në miratimin e Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut

02/07/2022

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka rikujtuar dhe vlerësuar lartë miratimin e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik të vitit 1990, duke e cilësuar si një nga veprimet dhe aktet më të rëndësishme dhe më vendimtare të historisë së popullit të Kosovës.

 

“Duhet kujtuar gjithnjë aktet më vendimtare të historisë së popullit tonë, e që padyshim një prej të cilave është edhe Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990. Ky vendim historik i marrë nga delegatët e asokohe, kishte vënë në sipërfaqe qysh atëherë dëshirën e madhe të popullit tonë për pavarësi, e që më pas 18 vite më vonë u kurorëzua me pavarësinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Në mesin e shumë delegatëve që 32 vite më parë miratuan Deklaratën Kushtetuese ishte edhe profesori i UBT-së, njëherit Drejtor për Çështje Akademike, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti, i cili dha kontributin e tij në mbështetje të së drejtës sovrane të popullit të Kosovës.