UBT vendos Kosovën të parën në rajon në garën botërore të robotikës në Athinë

29/09/2024

Kosova ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në garën botërore të robotikës që u mbajt në Athinë, duke u renditur si ekipi i parë nga rajoni. Ekipi kosovar i përgatitur dhe udhëhequr nga UBT, FIRST Global Kosova, arriti të jetë në vendin e 65 nga 180 ekipe që morën pjesë, duke e kaluar me sukses Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Roboti i dizajnuar nga ekipi kosovar, nën udhëheqjen e mentores Elita Hajrizi, u vlerësua për performancën e tij të shkëlqyer. Ai ishte stabil, pa defekte dhe shumë produktiv, çka tregon për nivelin e lartë të aftësive dhe profesionalizmit të ekipit. Kjo përformancë e shkëlqyer është një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të ekipit, që ka punuar me intensitet për të arritur këtë rezultat.

Mentorja Elita Hajrizi dhe anëtarja e ekipit, Harisa Haziri, u intervistuan nga televizioni grek, ERT News, ku theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë garë ndërkombëtare.

Ekipi i Kosovës ka fituar poashtu dy çmime globale për promovimin e STEAM dhe Robotics: Njëri për Video Story Telling dhe çmimi i dytë për kontributin në Social Media.

Zyra përfaqësuese e Kosovës ishte e pranishme gjatë gjithë ngjarjes, duke marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe përfundimit të garës, duke e bërë të qartë angazhimin e Kosovës në promovimin e shkencës dhe teknologjisë.

Në përfundim të ngjarjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është takuar Presidenti i FIRST Global Challenge, Dean Kamen, të cilit i ka bërë një kërkesë zyrtare për të organizuar këtë garë në vendin tonë në të ardhmen, duke synuar që të inkurajojë dhe mbështesë më tej zhvillimin e talenteve në fushën e robotikës. Ky hap do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të nxitur pasionin e të rinjve për teknologjinë dhe inovacionin.