UBT vendos Kosovën në rrjetin më të rëndësishëm të hulumtimit në Evropë, COST ACTION
30/07/2019Falë UBT-së, Kosova ka arritur edhe një sukses tjetër në arenën ndërkombëtare duke u bërë kështu anëtar i Organizatës Evropiane të Shkencës dhe Teknologjisë, “COST Action”.
Konkretisht, me iniciativën dhe punën e prodekanit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, dr. Visar Krelani, si dhe mbështetjen e rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe dekanit të FNI-së, dr. Muhamet Ahmeti, tashmë emri i Kosovës renditet në listën e shteteve që do të ofrojë ndihmë në zhvillim të shkencës dhe teknologjisë.
UBT ka plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme dhe ka përmbushur kushtet që ta anëtarësojë edhe Kosovën si shtet në këtë rrjet, dhe në veçanti, në Akcionin CA 15205 – Self Healing as Preventive Repair of Concrete Structures, me rreth 30 vende anëtare, përfshirë edhe Kosovën si vend partner ndërkombëtar.
Ky projekt menaxhohet nga Cambridge University, së bashku me universitetet partnere, Politecnico di Milano, Ghent University, Delft University of Technology, etj.
Falë këtij anëtarësimi, tanimë Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës hyn në rrjetin e fakulteteve evropiane dhe botërore, që do të mund të përfitojë dhe shpërndajë përvojat e veta dhe të përfaqësojë shtetin tonë në ambientet e vërteta shkencore.
Organizata Evropiane e Shkencës dhe Teknologjisë (COST) është një organizatë financiare për krijimin e rrjeteve hulumtuese, të quajtura COST Actions, duke lidhur ndërmjet vete të gjithë hulumtuesit shkencorë në Evropë dhe jashtë saj, si shtysë kryesore në avancimin e hulumtimit dhe inovacionit.
COST ACTION ekziston që nga viti 1971 dhe pranon fonde të Bashkimit Evropian nëpërmjet kornizave të ndryshme të hulumtimeve dhe inovacionit, siç është edhe Horizon 2020.