UBT vendos Kosovën në rrjetin e unionit ndërkombëtar të laboratorëve dhe ekspertëve RILEM
22/09/2022Falë UBT-së dhe në mënyrë specifike Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Kosova ka arritur edhe një sukses tjetër në arenën ndërkombëtare, duke u bërë kështu anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Laboratorëve dhe Ekspertëve në Materiale, Sisteme dhe Strukturat e Ndërtimit Botëror (RILEM).
Me iniciativën dhe punën e prodekanit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Dr. Visar Krelani, si dhe mbështetjen e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe të drejtorit dhe dekanit Prof. Dr. Muhamet Ahmeti, tashmë emri i Kosovës renditet në listën e shteteve anëtare dhe kontribuuese në RILEM, që do të ofrojë kontributin dhe ndihmën në zhvillimin e fushës së ndërtimit dhe në mënyrë specifike të Komitetit Teknik (Technical Committee) 287 – CCS me udhëheqës: Miguel Ângelo Dias Azenha nga Universiteti i Minhos, Portugali dhe Fragkoulis Kanavaris nga “Queen’s University”, në Britaninë e Madhe.
RILEM njihet si Unioni Ndërkombëtar i Laboratorëve dhe Ekspertëve në Materialet, Sistemet dhe Strukturat e Ndërtimit, i cili është themeluar në qershor të vitit 1947, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit shkencor në fushën e materialeve dhe strukturave të ndërtimit. Kuptimi i ri i akronimit RILEM (Réunion Internationale des Laboratoires et Experts des Matériaux, systèmes de construction et ouvrages), ka fokusin në promovimin e bashkëpunimit në shkallë ndërkombëtare me qasje të përgjithshme në njohuri të avancuara, si: të stimulojë drejtime të reja të kërkimit dhe hulumtimit, duke promovuar përsosmërinë në ndërtim, të promovojë ndërtim të qëndrueshëm dhe të sigurt dhe performanca të përmirësuara dhe përfitim në kosto për shoqërinë.
Misioni i unionit është të avancojë njohuritë shkencore me qasje të lirë në lidhje me materialet, sistemet dhe strukturat e ndërtimit dhe të inkurajojë transferimin dhe zbatimin e kësaj njohurie në mbarë botën.
Sa i përket temës specifike që merret me betonin e armuar Komiteti Teknik 287 – CCS në të cilin janë të përfshirë anëtarë nga: Amerika, Kina, Australia, Franca, Britania e Madhe, Austria, Italia, Portugalia, si dhe UBT nga Kosova, merret me analizën e gjerësisë së plasaritjeve të hershme dhe afatgjate në strukturat e betonit të armuar.
Vazhdimësia e investimit të UBT-së dhe udhëheqjes së tij në ndërkombëtarizim po ashtu ka ndikim të lartë pasi që tashmë konsiderohet partner i besueshëm në bazë të punës së tij në fushën e Inxhinierisë në përgjithësi dhe në Inxhinierinë e Ndërtimit në veçanti.