UBT uron festat e fundvitit dhe Vitin e Ri 2025
31/12/2024Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka përcjellë urimet e tij të ngrohta për fundvit dhe Vitin e Ri 2025, duke përgëzuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e sukseseve dhe arritjeve të përbashkëta gjatë vitit që po lëmë pas.
Në mesazhin e tij, Rektori Hajrizi ka shprehur mirënjohjen për studentët, stafin akademik dhe administrativ, të cilët përmes përkushtimit dhe punës së tyre kanë forcuar pozitën e UBT-së si lider në arsim, inovacion dhe zhvillim në Kosovë dhe më gjerë. Ai gjithashtu ka falënderuar partnerët lokalë, rajonalë dhe globalë për bashkëpunimin e ngushtë, që ka kontribuar në ngritjen e cilësisë dhe avancimin e projekteve të përbashkëta.
“Ky vit ka qenë i mbushur me arritje të mëdha për UBT-në, nga avancimi i programeve të studimit deri tek zgjerimi i projekteve ndërkombëtare dhe suksesi i studentëve tanë në fushat e ndryshme. Me optimizëm presim vitin 2025, duke synuar më shumë suksese, shëndet, paqe dhe harmoni për të gjithë”, është shprehur Rektori Hajrizi.
Ai ka dërguar urime të përzemërta për të gjitha familjet në Kosovë dhe kudo në botë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit për një të ardhme më të mirë.
UBT, si institucioni kryesor i arsimit të lartë në rajon, mbetet i përkushtuar për të qenë një shembull i inovacionit dhe zhvillimit, duke ofruar mundësi të reja për studentët dhe komunitetin më të gjerë.
Gëzuar Festat dhe një fillim të mbarë të Vitit të Ri 2025!