UBT uron 17 shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës

17/02/2024

Në këtë ditë të veçantë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka shprehur urimet e tij më të sinqerta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë.

Rektori Hajrizi ka thënë se Pavarësia e Kosovës është një fryt i sakrificave dhe përpjekjeve të shumta të popullit, dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdueshme për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit në të ardhmen.

“17 shkurti është një prej datave e ngjarjeve më të rëndësishme për Kosovën dhe popullin shqiptar. Në këtë ditë, gjashtëmbëdhjetë vite më parë, u kurorëzuan suksesshëm përpjekjet e gjata, të pareshtura e plot sakrificë të popullit tonë për liri e pavarësi. Gjatë këtyre viteve Kosova si shtet ka shënuar të arritura të mëdha, në secilën fushë, të cilat na bëjnë sot më shumë se kurrë krenar secilin prej nesh. Kosova sot po prezantohet më fuqishëm se kurrë në arenën ndërkombëtare, duke u rreshtuar ballëlartë përkrah shteteve perëndimore, jo si një vend që prodhon kriza e jo stabilitet, po si një shtet i ri që konkurron me vlera të larta në kulturë, arsim, sport e çdo fushë tjetër, si vend që gjeneron vlera të reja”, ka thënë Rektori Hajrizi.