UBT sjell në Prizren qendrën e teknologjisë dhe inovacionit

13/07/2021

UBT po vazhdon suksesshëm projektin e saj madhor të krijimit të qendrave të inovacionit dhe teknologjisë, si investimin më premtues dhe më serioz për të ardhmen e gjeneratës së re.

 

Pas hapjes së “Korça Innovation and Technology Hub”, UBT po vazhdon lidhjen e fuqishme teknologjike, kësaj radhe, me potencialin më të madh që ka Kosova, rininë e saj.

 

Në kuadër të këtij projekti në tetor do të hapet “UBT Prizreni Innovation and Technology Hub”, si qendër lidere e teknologjisë dhe inovacionit në qytetin e Prizrenit, përmes të cilit synohet lidhja e rinisë dhe ndërmarrësisë së qytetit të bukur e të pasur me trashëgimi kulturore me zhvillimet e fundit të teknologjisë dhe inovacionit, me trendet aktuale botërore.

 

Marrëveshja për vendosjen e UBT-së në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren (ITP), u nënshkrua nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi dhe koordinatori i ITP-së, Muhamed Rexhepi, në prani edhe të drejtuesit të këtij parku të biznesit, Wolfgang Leidig.

 

Rektori Hajrizi tha se investimi i UBT-së në këtë Hub teknologjik dhe inovativ në Prizren është pjesë e përgjegjësisë shoqërore që ky institucion ka ndaj rinisë dhe potencialit inovativ e teknologjik të Kosovës, i cili ka nevojë për ofrim të dijes, përkrahjes dhe aftësimit për të ecur përpara.

 

“Duke qenë në hap me vendet e zhvilluara të botës në fushën e dijes dhe informacionit, Kosova po dëshmon fuqishëm se nuk është spektatore por pjesëmarrëse aktive dhe kontribuese në të ardhmen e reziliencës, inovacionit dhe qëndrueshmërisë, me UBT-në prijëse të këtyre proceseve”, u shpreh ai.

 

Ekosistemi që ofron sot UBT si lider në fushën  e arsimit të lartë dhe lider i arsimit e aftësimit profesional, duke bashkuar dijen me teknologjinë, inovacionin me shkencën e studimet teorike me prodhimin si produkt final, e bëjnë UBT-në që të jetë konkurrente me universitetet më të mira të botës.

 

Ndryshe, ITP në Prizren është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që synon të krijojë një mjedis tërheqës biznesi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Parku ndodhet në ish-kampin ushtarak gjerman në Prizren, ka një hapësirë prej 40 hektarësh dhe përfshinë 56 ndërtesa dhe disa parcela për zhvillim të metutjeshëm. Në ballë të këtij parku biznesi nga tetori do ta keni UBT-në me super eksperiencën e pasur të saj në inovacion e teknologji.