UBT sjell në Kosovë ekspozitën e parë ndërkombëtare të arkitekturës

23/07/2018

Muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës u zbukuruan e pasuruan me ekspozitën që shfaqi qindra punime të realizuara nga studentët e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, si dhe nga dhe shkolla të arkitekturës në Evropë, që u dhuruan qindra të pranishmëve punime dhe projekte arkitektonike nga më të ndryshmet.
Kjo shënon edhe ekspozitën e parë ndërkombëtare të realizuar në Kosovë, ndrëkaq e njëjta do të qëndrojë e hapur tërë javën e ardhshme.

Drejtori për Çështje Akademike në UBT, Valmir Hoxha vlerësoi se një ekspozitë e tillë sjell frymë të re dhe përbën vlerë të shtuar për Kosovën.
“Në kërkim të projekteve të veçanta dhe inspirimit për ta bërë Kosovën një vend të ndërtesave të bukura, jam i bindur që kjo ekspozitë do të sjellë diçka të paparë më parë në vend, dhe si shumë herë të tjera, UBT po ndikon që Kosova të hyjë në hartën e vendeve të para që bëjnë bashkë punime që kanë dalë nga shkollat më të njohura të arkitekturës në Evropë.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, prof dr Lulzim Beqiri tha se UBT përmes kësaj ekspozite synon ta pozicionojë dhe Kosovën në një fazë të njohjes së vlerave dhe integrimit në shoqëritë e zhvilluara dhe me përvojë akademike.
“UBT tradicionalisht organizon ekspozitën e arkitekturës që nga themelimi i saj, por që kjo është hera e parë që organizohet një ekspozitë ndërkombëtare e këtij formati në Kosovë , apo edhe më gjerë, e që jemi të lumtur që një e tillë po organizohet nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT”, theksoi ai.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj në fjalimin e tij potencoi se Kosova është vend që u ofron të rinjve shumë mundësi për të ushtruar profesionin e tyre dhe ka nevojë për mendje që shikojnë më thellë e më gjerë, mendje këto që me kompetencë të plotë, sipas tij, formohen në UBT.
“Ky vend ju ofron shumë mundësi për ta ushtruar zanatin e juaj, ka nevojë për një mendje që shkon përtej shtëpisë, përtej oborrit, që shkon përtej një lagjeje, që edhe qytetin e sheh në një kontekst më të gjerë dhe unë jam i bindur që UBT e ofron këtë sepse është një çerdhe e dijes dhe e kompetencës”, u shpreh Skender Boshtrakaj.

Fakultetet pjesëmarrëse në këtë ekspozitë të organizuar nga UBT, ishin: Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT (Kosovë), Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Podgoricës (Mali i Zi), Fakulteti i Arkitekturës nga Universiteti Politeknik i Tiranës (Shqipëri), Universiteti Niğde Ömer Halisdemir (Turqi), Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin e Pecs (Hungari), Shkencat e Aplikuara Bern (Zvicër), Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin Teknologjik në Wrocllav (Poloni), Fakulteti i Arkitekturës n Universitetin Shtetëror të Tetovës (Maqedoni), Universiteti Teknik i Vjenës (Austri), Fakulteti i Arkitekturës dhe Mjedisit Ndërtimor TU Delft (Holandë), Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Zagrebit dhe Anhalt University of Applied Science, BAUHAUS (Gjermani).