UBT shpreh ngushëllime për vdekjen e epidemiologut, Isuf Dedushaj
04/02/2025Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së epidemiologut të shquar, Prof. Dr. Isuf Dedushaj, një personalitet i rrallë në fushën e mjekësisë dhe shkencës shqiptare.
Prof. Dr. Dedushaj ishte një emër i madh, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë kombin shqiptar, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shëndetësinë publike, kërkimin shkencor dhe edukimin e brezave të rinj. Ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe vizionin e tij për avancimin e mjekësisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
UBT dhe Rektori Hajrizi patën nderin të njihnin dhe të bashkëpunonin me një personalitet të tillë të madh, duke ndarë të njëjtin përkushtim për ngritjen e kapaciteteve humane, implementimin e standardeve ndërkombëtare dhe organizimin e konferencave shkencore në fushën e shëndetësisë.
“Humbja e tij lë një boshllëk të madh në komunitetin shkencor dhe mjekësor, por trashëgimia e tij intelektuale dhe humane do të mbetet frymëzim për brezat që do të vijnë. UBT shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Dedushaj, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të”, thuhet në telegramin e ngushëllimit dërguar nga UBT.