
UBT shënon Ditën Botërore të Ujit me fokus te ruajtja e akullnajave dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike
22/03/2025Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe shkencore, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT organizoi një ngjarje të rëndësishme për shënimin e Ditës Botërore të Ujit, me temën “T’i Ruajmë Akullnajat Tona”.
Ky organizim mblodhi së bashku profesorë, studentë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve për të diskutuar mbi rëndësinë e akullnajave si burime kyçe të furnizimit me ujë dhe ndikimin e tyre në ndryshimet klimatike, energjinë dhe politikat e menaxhimit të ujërave.
Në hapje të kësaj ngjarje, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Prof. Visar Krelani, theksoi se akullnajat janë një nga burimet kryesore të ujit të pijshëm në shumë rajone të botës, përfshirë Kosovën. Ai nënvizoi se ngrohja globale po ndikon ndjeshëm në shkrirjen e akullnajave, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në sasinë dhe cilësinë e ujërave të disponueshme për konsum dhe përdorim industrial.
Në vazhdim, Prorektori dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Prof. Binak Beqaj, foli për rëndësinë e integrimit të politikave të qëndrueshme të menaxhimit të burimeve ujore në strategjitë e zhvillimit urban dhe industrial. Ai theksoi se rritja e temperaturave globale po ndikon në ekuilibrin ekologjik, duke kërkuar veprime të menjëhershme në hartimin e politikave dhe strategjive për mbrojtjen e akullnajave dhe burimeve ujore.
Një nga momentet kyçe të këtij organizimi ishte paneli i përbërë nga ekspertë të njohur të fushës, profesorët: Hazir Çadraku, Alban Kuriqi, Skënder Bublaku dhe Ilir Avdullahu, ku u trajtuan disa nga çështjet më kritike që lidhen me ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore.
Prof. Skënder Bublaku theksoi nevojën për kujdes të shtuar në menaxhimin e burimeve ujore, duke vënë në pah shqetësimet që vijnë nga ndryshimet klimatike. Ai nënvizoi se këto ndryshime po shkaktojnë çrregullime të ndjeshme në regjimin e reshjeve, si në intensitetin dhe shpërndarjen e shirave, ashtu edhe të borës, duke ndikuar drejtpërdrejt në sasinë dhe cilësinë e ujërave të disponueshme.
Prof. Alban Kuriqi, në fjalën e tij, u fokusua në dy tema kryesore: thatësirat dhe përmbytjet. Ai theksoi se këto fenomene ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e kërkesës së lartë për ujë, tejshfrytëzimit të burimeve ujore, industrializimit dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Prof. Kuriqi theksoi domosdoshmërinë e një koordinimi më të mirë, një bashkëpunimi të gjerë dhe një qasjeje më pragmatike e profesionale në menaxhimin e burimeve ujore, si në nivel lokal ashtu edhe global.
Prof. Ilir Avdullahu e përqendroi diskutimin e tij në çështjen e ofrimit të shërbimeve të furnizimit me ujë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit dhe shfrytëzimit racional të burimeve ujore. Ai nënvizoi nevojën për ruajtjen e këtyre burimeve, si dhe për një kujdes të shtuar në minimizimin e humbjeve të ujit në rrjetin e furnizimit publik, si një faktor kyç për garantimin e qëndrueshmërisë në këtë sektor.
Prof. Hazir Çadraku vuri në pah nevojën për një përpjekje të vazhdueshme në ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe sjelljes ndaj burimeve ujore, duke e konsideruar këtë një element kyç për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm. Ai theksoi se intensifikimi i kërkimeve shkencore për rritjen e kapaciteteve ujore në nivel vendi është i domosdoshëm. Prof. Çadraku gjithashtu vuri në dukje se reshjet e borës janë pakësuar ndjeshëm, ndërsa koha e qëndrimit të borës është reduktuar nga disa javë në vetëm disa ditë. Hulumtimet shkencore tregojnë se nivelet e ujërave nëntokësore po bien në shkallë globale, dhe duke marrë parasysh ndërtimin gjeologjik dhe karakteristikat hidrogjeologjike të territorit tonë, ulja e këtyre niveleve mund të jetë një fenomen gjithnjë e më i pranishëm edhe në vendin tonë.
Gjatë diskutimeve, panelistët dhe pjesëmarrësit theksuan disa nga çështjet më të rëndësishme për menaxhimin e burimeve ujore dhe ruajtjen e akullnajave:
- Mungesa e ujit dhe strategjitë e përshtatjes;
- Menaxhimi ndërkufitar i ujërave dhe bashkëpunimi rajonal;
- Politikat dhe kuadri ligjor për mbrojtjen e akullnajave;
- Ndërgjegjësimi publik dhe kërkimet shkencore.
Në pjesën e diskutimeve nga pjesëmarrësit, një nga temat kryesore të interesit ishte trajtimi i ujërave të zeza. Prof. Ibush Luzha theksoi urgjencën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për përmirësimin e situatës në këtë drejtim, duke nënvizuar nevojën e ndërtimit të impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura si një domosdoshmëri për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore.
Gjithashtu, përfaqësuesi nga KRU Prishtina ngriti çështjen e trajtimit të manganit në ujin e akumulacionit të Liqenit të Badovcit, duke i drejtuar një pyetje panelistëve mbi këtë problematikë.
Në përmbyllje të diskutimeve, u theksua rëndësia e veprimeve konkrete për mbrojtjen e akullnajave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore. Profesorët dhe ekspertët theksuan se:
- Është e nevojshme të zhvillohen studime të vazhdueshme mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në akullnajat e Kosovës;
- Duhet të hartohen strategji të qarta për menaxhimin e ujërave ndërkufitare dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme;
- Shoqëria dhe institucionet duhet të angazhohen më shumë në ndërgjegjësimin e publikut dhe zbatimin e politikave të qëndrueshme mjedisore.
UBT, si institucion lider në edukim dhe kërkime shkencore, mbetet e përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin e strategjive për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore, duke inkurajuar studentët dhe studiuesit të angazhohen në hulumtime inovative që ndikojnë pozitivisht në të ardhmen e burimeve ujore.