UBT shënon Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë
29/04/2021Me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, ka mbajtur një konferencë online ku është diskutuar rëndësia që ka siguria dhe shëndeti në punë.
Në këtë konferencë morën pjesë drejtori për Çështje Akademike, prof.dr. Muhamet Ahmeti, specialisti i sigurisë në punë, prof. Agim Shaqiri, profesoresha e juridikut, Jorida Xhafaj, profesoresha Violeta Lajçi-Makolli, profesoresha Afete Musliu, si dhe prof.dr. Hazir Çadraku.
Në këtë konferencë, rëndësi të veçantë i është dhënë sigurisë dhe shëndetit në punë në të gjithë sektorët, pa dallim veprimtarisë dhe aktivitetit të punës që bëhet, duke vlerësuar se duhet të bëhet një bashkëpunim dhe koordinim për t’i dhënë përgjigjje problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohen punëdhënësit dhe të punësuarit sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.
Nga kjo konferencë u nxorën përfundime nga të cilat u tha se duhet rishikuar avancimi i infrastrukturës ligjore, të bëhet monitorimi dhe implementimi i kuadrit ligjor nga inspektorati, të investohet më shumë në sigurinë dhe shëndetin në punë, të aplikohen masa nga ana e punëdhënësve për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe të zbatojnë dispozitat ligjore për sigurinë në punë, si dhe të rritet bashkëpunimi institucional me institucionet e arsimit të lartë për gjetjen e zgjidhjeve teknike, teknologjike dhe shkencore.