
UBT shënon Ditën Botërore të Inxhinierëve
05/03/2025Në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës si dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, UBT shënoi Ditën Botërore të Inxhinierëve me një ngjarje të rëndësishme akademike, ku morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekanë, profesorë dhe studentë.
Gjatë kësaj ngjarje u theksua rëndësia e inxhinierisë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, si dhe kontributi i jashtëzakonshëm i profesionistëve të fushës në avancimin e teknologjisë dhe infrastrukturës. Në këtë kuadër, UBT ndau mirënjohje për profesorët Nebi Pllana, Naser Kamberi dhe Muhamet Avdyli, në shenjë vlerësimi për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në arsim dhe shkencë.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e cilësoi këtë ditë si një moment të veçantë për komunitetin akademik dhe profesional:
“Është një ditë pozitive për ne, sepse inxhinieria ka qenë dhe mbetet një nga fushat më të rëndësishme për zhvillimin. Krijimi dhe ndërtimi i diçkaje që nuk ekziston është thelbi i progresit njerëzor. Ne kemi të gjitha fushat e inxhinierisë në UBT dhe kemi themeluar disa programe për herë të parë në Kosovë, duke pasur numrin më të madh të studentëve në këtë drejtim. Kosova ka nevojë për më shumë inxhinierë, sidomos për të tërhequr investime të huaja. Ne kemi punuar për ta ngritur rëndësinë e inxhinierisë dhe kemi arritur të anëtarësohemi në organizata dhe federata të shumta ndërkombëtare”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Profesor Nebi Pllana, i cili u nderua me mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në edukimin dhe formimin e kuadrove të reja, theksoi sfidat dhe përpjekjet e bëra gjatë viteve:
“Na keni mundësuar gjithçka për ngritjen e kuadrove të reja profesionale. Kemi pasur shumë sfida dhe peripeti, por kemi dhënë një kontribut të madh në formimin e specialistëve të fushës. Ju falënderoj përzemërsisht dhe në çdo rrethanë do të vazhdoj të jap kontributin tim maksimal”, tha profesori Pllana.
Mirënjohje iu dha edhe profesor Naser Kamberi, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në biologjinë molekulare dhe gjenetikë. Po ashtu, u vlerësua edhe profesor Muhamet Avdyli, një figurë kyçe në fushën e IT-së dhe për një periudhë drejtues i departamentit të Sistemeve të Informacionit në UBT.
Ky aktivitet jo vetëm që shënoi Ditën Botërore të Inxhinierëve, por gjithashtu solli në pah rëndësinë e investimit në edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj të inxhinierëve, të cilët do të jenë shtylla kryesore e inovacionit dhe progresit në Kosovë.