UBT shënoi Ditën e Tokës

22/04/2022

UBT përmes një forumi ka shënuar 22 prillin, Ditën e Tokës, me profesorë dhe studentë të programeve të ndyshme të studimit, duke vënë në pah edhe njëherë rëndësinë që ka kjo ditë për njerëzimin.

 

Në këtë forum, pjesëmarrës ishte edhe rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili përmes platformës Zoom, përsërit rëndësinë e kësaj dite dhe bëri thirrje që të trajtohet me një kujdes të veçantë.

 

“Toka dhe planeti përballet me sfida të shumta të qëndrueshmërisë dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjitha institucionet, gjithë qytetarët dhe gjithë njerëzit, si dhe të gjithë palët e interesit që janë pjesë e këtij planeti të kontribuojnë në mënyrat e veta dhe formën e vet”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Profesori i UBT-së, Nexhat Balaj, ka thënë se UBT tashmë e ka shndërruar në traditë shënimin e kësaj dite, duke organizuar aktivitete të ndryshme në shënim të kësaj dite të rëndësishme.

 

“Planeti tokë është i vetmi planet në të cilin ka jetë prandaj ajri, uji dhe toka janë komponentët kryesor të mjedisit, kështu që në kontekst pra si ditë ndërkombëtare edhe ne si UBT kemi krijuar një traditë në shënimin e kësaj dite, për të ngritur ndërgjegjësimin dhe vetëdijen për mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë profesori Balaj.

 

Profesori i UBT-së, Hazir Çadraku, duke rikapituluar gjithë diskutimin me profesorët e nderuar, ka thënë se planifikimet e ndryshme që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen, sidomos ato urbanistike dhe industriale, kanë zënë dhe po zënë një hapësirë të madhe të tokës bujqësore.

 

“Zënia e tokës është evidente me planifikimet sidomos pas vitit 1999 e këndej, do të thotë për urbanistikën dhe për çështjet industriale, pra nëse dalim dhe shohim në terren një pjesë e konsiderueshme e tokës bujqësore është e zënë me këto industri dhe infrastruktura, dhe kjo nuk do të thotë se është një shenjë edhe aq e mirë për shkak të mundësisë më të mirë për të shfrytëzuar këto zona bujqësore”, ka thënë profesori Çadraku.

 

Përgjatë këtij forumi që për temë kishte përfitimet që mund t’i kemi nga kujdesi ndaj tokës, profesorë dhe studentë diskutuan çështje të ndryshme që preknin tokën, duke trajtuar edhe problematikat e ndryshme që e dëmtojnë direkt atë.

 

Duke nderuar këtë ditë të rëndësishme, profesorët dhe studentët pjesëmarrës të UBT-së, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, mbollën lule të cilat i dhanë një pamje edhe më të bukur vendit të shkencës e teknologjisë.