UBT shënoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nderon me çmimin më të lartë institucional ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe filantropin italian Salvatore Tafuro

14/02/2025

Në një ceremoni solemne, UBT shënoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, një ditë me rëndësi të veçantë për kombin shqiptar dhe historinë e vendit. Me këtë rast, Këshilli Akademik i UBT-së ndau çmimin më të lartë institucional Honorary Degree “Excellence in Leadership”: për dy personalitete me kontribut të jashtëzakonshëm në paqe, siguri dhe zhvillim: ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dhe Presidentin dhe Themeluesin e R.I. Group dhe “Hospitals Without Borders”, Salvatore Tafuro.

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, profesorë, studentë dhe të ftuar të shumtë.

Rektori Hajrizi, theksoi rëndësinë e vlerësimit të personaliteteve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të ardhmen e Kosovës.

“Në këtë ditë të shënuar, UBT ka nderin të vlerësojë dy personalitete të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në paqe, siguri dhe zhvillim: ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dhe Salvatore Tafuro, President dhe Themelues i R.I. Group dhe “Hospitals Without Borders”. Presidenti Sejdiu ka luajtur një rol kyç në konsolidimin e shtetit të Kosovës, duke udhëhequr me vizion në momentet më të rëndësishme të historisë sonë dhe duke forcuar pozitën ndërkombëtare të vendit. Salvatore Tafuro, nga ana tjetër, ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në ndihmën humanitare ndaj shqiptarëve gjatë krizave më të vështira, duke krijuar kushte ekzistenciale për refugjatët shqiptarë të larguar nga Kosova drejt Shqipërisë në vitin 1999. Ai ka ndihmuar popullin tonë në periudha kritike dhe ka themeluar Hospitals Without Borders, një iniciativë që synon të ofrojë ndihmë shëndetësore dhe humanitare në zonat e krizës. Ky çmim është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të madh ndaj Kosovës dhe njerëzimit”, tha Rektori Hajrizi.

Në vijim, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e arsimimit dhe formimit të brezave të rinj, si një garanci për të ardhmen e vendit.

“Ne të gjithë kemi një përgjegjësi të madhe për të edukuar një brez të ri profesionistësh të ardhshëm, njerëz të pasur shpirtërisht dhe qytetarë të denjë të Kosovës. Vetëm përmes diturisë, inovacionit dhe përkushtimit do të arrijmë ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë dhe një atdhe të dashur për të gjithë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, u shpreh thellësisht i nderuar nga ky vlerësim dhe reflektuar mbi rrugëtimin e shtetit të Kosovës:

“Ndihem i prekur, pozitivisht, dhe i nderuar nga ky çmim, veçanërisht në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës. Sot, ne kujtojmë të kaluarën tonë të vështirë dhe shikojmë drejt të ardhmes me vizion dhe shpresë. Historia jonë ndahet në dy epoka të rëndësishme: periudha para pavarësisë, e mbushur me sakrifica dhe përpjekje për të siguruar lirinë tonë, dhe periudha pas shpalljes së pavarësisë, e cila ka hapur horizonte të reja për zhvillimin dhe përparimin tonë. Nuk mund të mos përmend presidentin historik Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar Adem Jashari, të cilët përbëjnë një binom të pashkëputshëm në historinë tonë. Rugova, me diplomacinë dhe vizionin e tij, e çoi të vërtetën e Kosovës në çdo cep të botës, ndërsa Adem Jashari, me sakrificën e tij sublime, mbrojti pragun e shtëpisë dhe nderin e kombit”, u shpreh Dr. Sejdiu.

Salvatore Tafuro, personalitet i shquar i fushës së filantropisë dhe ndihmës humanitare, shprehu mirënjohjen e tij për këtë vlerësim dhe përcolli një mesazh të fuqishëm për të rinjtë kosovarë.

“Është një nder i veçantë për mua të jem vlerësuar nga UBT, një institucion që mishëron dijen dhe përparimin e Kosovës. Gjatë viteve të vështira të luftës dhe pas saj, Kosova tregoi se është një popull i vogël, por me një zemër të madhe, me një dëshirë të madhe për t’u bërë një shtet i zhvilluar dhe i fuqishëm. Dua t’u përcjell një mesazh të veçantë të rinjve dhe akademikëve të UBT-së: sukseset më të mëdha në jetë arrihen kur përdorim trurin, duart dhe zemrën. Vetëm duke kombinuar dijen, punën dhe humanizmin, mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për veten dhe për shoqërinë tonë”, potencoi Tafuro.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, e vlerësoi këtë nismë të UBT-së si një akt të rëndësishëm për nderimin e personaliteteve që kanë dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme.

Përmes kësaj ceremonie, UBT edhe një herë dëshmoi përkushtimin e saj ndaj vlerave të lirisë, dijes dhe humanizmit, duke nderuar figura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe zhvillimin e Kosovës.

UBT do të vazhdojë misionin e tij për të formuar liderë të rinj dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi, duke mbetur një nga institucionet më të rëndësishme akademike dhe zhvillimore në Kosovë dhe më gjerë.