UBT renditet në mesin e top 100 universiteteve në botë në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë civile

23/05/2024

UBT po vazhdon të merr vlerësime të rëndësishme dhe njohje të kontributit në arenën ndërkombëtare.

UBT falë kontributit dhe punës së studentëve dhe stafit akademik është renditur si i vetmi institucion i arsimit të lartë privat në mbarë trojet shqiptare në mesin e top 100 universiteve botërore në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë civile në INSPIRELI AWARDS.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka vlerësuar lartë kontributin e secilit student dhe stafit akademik për këtë arritje, e cila dëshmon edhe njëherë se UBT vazhdon rrugën me hapa të sigurt drejt përsosmërisë akademike dhe profesionale. Ai theksoi se ky sukses është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të gjithanshëm për të ofruar një arsim cilësor dhe për të inkurajuar inovacionin dhe krijimtarinë në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë civile.

“Jemi krenarë për këtë arritje të madhe dhe për reputacionin që kemi ndërtuar në arenën ndërkombëtare. Ky sukses nuk është vetëm një reflektim i punës sonë të palodhshme, por edhe një nxitje për të vazhduar të investojmë në cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor”, tha Rektori Hajrizi.

Renditja e UBT-së në INSPIRELI AWARDS njeh veçanërisht mbështetjen e institucionit për të motivuar studentët për të marrë pjesë në konkurs, gjë që është vendimtare për përgatitjen e tyre për suksesin e ardhshëm profesional. Përveç pjesëmarrjes në konkurs, performanca e studentëve individualë vlerësohet edhe në bazë të projekteve të tyre akademike.

Çdo finalist apo fitues i këtij konkursi konsiderohet kështu një talent i padiskutueshëm me potencial për t’u bërë një krijues i suksesshëm i së ardhmes së qyteteve botërore.