UBT priti solemnisht studentët e rinj në Prizren dhe Pejë

03/10/2018

Në degët e UBT-së në Prizren dhe Pejë, në ceremoni të ndara është bërë pritja e studentëve të rinj për vitin e ri akademik 2018/2019.

Ata janë pritur nga dekanët e fakulteteve, profesorët dhe stafi administrativ, ku veç tjerash janë informuar lidhur me studimet dhe mundësitë që ofrohen në UBT.

Studentëve të rinj mirëseardhje ju dëshiroi drejtori për Çështje Akademike në UBT, Valmir Hoxha, i cili vlerësoi se përgjatë tri viteve ata do të kenë mundësinë të ngriten profesionalisht, pasi siç tha, UBT është e pasuruar me salla, laboratorë, literaturë, si dhe ka staf vendor e ndërkombëtarë.

Tutje, Hoxha u tha studentëve se institucioni punon në harmoni me standardet e njohura ndërkombëtarisht dhe se sjellë praktikat më të mira vendore e ndërkombëtare të mësimit.

Sekretari i UBT-së, Artan Tahiri, me këtë rast ka uruar studentët e rinj për fillim të mbarë të studimeve, teksa i inkurajoi ata që të shfrytëzojnë mundësitë të cilat ofrohen nga institucioni dhe programet ndërkombëtare si Erasmus+, ku studentëve u mundësohet të studiuarit nëpër vende të ndryshme të botës.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Çështje Studentore dhe IT, Murat Retkoceri u tha studentëve se institucioni tash e disa vite punon me sisteme inovative dhe teknologjik që u mundësojnë studentëve qasje më të lehtë në shërbimet online si: Moodle dhe SMIS etj.

Në kampuset e UBT-së, në Kosovë, janë organizuar salla informuese për secilin fakultet, në të cilat studentët e rinj po informohen rreth programeve që kanë zgjedhur të studiojnë.