UBT pret stafin drejtues të Qendrës për Trajnime, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës
10/07/2017Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit akademik, UBT organizoi një pritje për stafin drejtues të Qendrës për Trajnime të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Stafi i kësaj qendre u prit nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. dr Muhamet Ahmeti, nga prodekani i këtij fakulteti, prof. dr Visar Krelani dhe nga përfaqësuesi i Fakultetit të Mekatronikës, prof. Valmir Hoxha.
Qëllimi i këtij takimi ishte njohja nga afër e dy institucioneve, lidhur me veprimtaritë dhe aktivitetet e tyre në aftësimin dhe zhvillimin akademik dhe praktik, shkëmbimin e informacioneve në lidhje me fushat dhe mundësitë për trajnimin dhe punën akademike dhe praktike, që ofrojnë këto dy institucione, si dhe ofrimin e mundësive për të hapur dhe vazhduar edhe më thellë sferën e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve.
Me këtë rast, drejtuesi i Qendrës për Trajnime në KEK, Safet Ymeri bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë dhe aktiviteteve që zhvillohen në QT, duke e vënë theksin në mundësitë dhe eksperiencat që ka ky institucion në aftësimin dhe trajnimin e të gjithë të interesuarve në lëmin e sigurisë dhe mbrojtjes në punë, në lëmin e mekanikës, energjetikës, saldimit, gjenerimit të energjisë elektrike etj.
Në fund të takimit, drejtuesit e QT-së, u pritën nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, me ç’rast i falënderoi drejtuesit e QT-së, të cilët kishin zgjedhur për ta vizituar UBT dhe për të bashkëpunuar me të.