UBT pret me ceremoni madhështore studentët e rinj dhe profesionistët e së ardhmes
04/10/2018Mijëra fytyra të lumtura të të rinjve nga mbarë trojet shqiptare i kanë zbukuruar objektet e UBT-së në Prishtinë dhe Lipjan me praninë e tyre, me rastin e fillimit të rrugëtimit universitar, që pas pak vitesh do t’i shndërrojë në lider të pakrahasueshëm në tregun vendor e ndërkombëtar të punës.
Kjo ceremoni madhështore u mbajt për studentët e rinj të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Inxhinierisë së Energjisë, Mekatronikës dhe Menaxhmentit, Dizajnit të Integruar, Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë, Infermierisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë.
Hapjen e të gjitha ceremonive të pritjes nëpër fakultetet përkatëse e bëri rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili përmes një fjalimi motivues u tregoi studentëve që e kanë nisur rrugëtimin për të qenë prijës të ndryshmeve të mëdha teknologjike, ekonomike dhe shoqërore në vend e më gjerë.
“Në UBT nuk do të gjeni vetëm një institucion ku do të merrni një diplomë, por një institucion që do të qëndrojë prapa jush në secilin hap të rrugëtimit tuaj sepse ne kemi përgjegjësi morale e shoqërore të përgatisim kuadro prej të cilave do të përfitojë Kosova dhe mbarë bota”, theksoi Hajrizi.
Ai tha se studentët janë ata që i kanë dhënë reputacion dhe imazh pozitiv UBT-së, përmes përfaqësimeve dinjitoze të institucionit dhe Kosovës në mbarë botën dhe u shpreh i bindur se po të njëjtin sukses do ta arrijnë me punë dhe përkushtim edhe studentët e rinj.
Për kurrikulat, marrëveshjet e bashkëpunimit, mundësitë për punë praktike e punësim, para studentëve folën edhe përfaqësuesit e fakulteteve përkatëse, studentët e dalluar, si dhe përfaqësues të kompanive me të cilat UBT ka marrëveshje, e që të njëjtat në kuadër të stafit të tyre kanë një numër të madh të studentëve të UBT-së.
Falë zgjerimit të kompetencave profesionale dhe punës intensive në ngritjen e nivelit të cilësisë në arsim, të ardhmen e tyre deri tani ia kanë besuar UBT-së mijëra studentë, e ky numër po shënon rritje në secilin vit akademik.