UBT përfaqëson Kosovën në garën ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge” në Athinë

30/07/2024

Edhe këtë vit, të rinjtë nga Kosova do të kenë mundësinë të sfidojnë njohuritë e tyre në fushën e robotikës dhe të përfaqësojnë vendin e tyre në garën ndërkombëtare “FIRST Global Challenge”, e cila këtë vit mbahet në Athinë. Ekipi kosovar përbëhet nga nxënësit e shkollave të mesme, Amar Rama, Leona Hajrizi, Era Nura dhe Harisa Haziri, nën mentorimin e Elita Hajrizit, të cilët do të konkurrojnë me të rinj nga rreth 180 shtete të botës, në një atmosferë globale të unitetit dhe bashkëpunimit.

 

Sfida e këtij viti, me temën “Feeding the Future”, fokusohet në prodhimin dhe konsumimin e qëndrueshëm të ushqimit. Ekipi përfaqësues i Kosovës do të përgatitet në UBT, nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë të fushës së robotikës, në laboratorët më inovativë të vendit në fushën e robotikës dhe mekatronikës.

 

Në fund të garës, “FIRST Global Challenge” do të ndajë çmime të ndryshme për fituesit, përfshirë medaljet e arta, të argjendta dhe të bronzta. Materialet e ekipeve fituese do të transmetohen në mediat amerikane dhe botërore.

 

Kjo garë ka për qëllim të inkurajojë zhvillimin e mëtejshëm të të rinjve në fushën e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). UBT, si një nga institucionet më të mëdha të arsimit në Kosovë, vazhdon të promovojë edukimin STEM që në arsimin e mesëm të lartë, duke kontribuar në formimin e gjeneratave të reja të inxhinierëve dhe shkencëtarëve.