UBT përfaqësoi Kosovën në Konferencën ndërkombëtare të universiteteve evropiane për projektet e mobiliteteve të Erasmus
24/04/2019Në vazhdën e pjesëmarrjes në aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin e universiteteve, UBT është ftuar të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Universiteteve Evropiane, në Poloni, për krijimin e marrëveshjeve, me qëllim të realizimit të projekteve të mobilitetit ndërmjet universiteteve në kuadër të projektit Erasmus.
Në këtë konferencë, Kosova dhe UBT janë përfaqësuar nga prodekani i Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. dr Visar Krelani.
Konferenca u organizua nga zyra e Erasmus në shtetin e Polonisë dhe nga Ministria e Edukimit e këtij shteti.
Në kuadër të konferencës është prezantuar secili shtet pjesëmarrës, ku me statistika kanë definuar numrin e studentëve në këto shtete, numrin e universiteteve, profesorëve, diplomave të dyfishta, numrin e marrëveshjeve ndërkombëtare, etj.
Rëndësi të veçantë i është dhënë mënyrës së komunikimit të universiteteve, duke konsideruar kontaktet ndërmjet profesorëve, fakulteteve dhe universiteteve, për sukses të përbashkët në realizimin e projekteve të përbashkëta evropiane. Tutje, u diskutuan edhe tema tjera të rëndësishme përfshirë njohjen akademike ndërmjet universiteteve në rastet e mobilitetit dhe dokumentet që duhet nënshkruar me rastin e moblitetit nga ana e universitetit dërgues dhe universitetit mikpritës, teksa janë shpjeguar edhe aspektet kryesore që duhet marrë parasysh me rastin e mobiliteteve.
Për të aplikuar informatat e marra u krijuan edhe grupe punuese në të cilat u diskutuan problematikat e përmendura dhe u bë prezantimi i përvojave të universiteteve të ndryshme në këto aspekte.
Në këto grupe punuese Prof. Visar Krelani ishte edhe raportues i grupit, i cili shpjegoi përvojat e UBT-së dhe të grupit për çështjet e diskutuara në grupin përkatës.
Përpos paraqitjes së rëndësisë që ka bashkëpunimi ndëruniversitar, edhe përfaqësuesit e universiteteve nga shtetet e ndryshme shprehën interesimin e tyre që të rrisin bashkëpunimin me Kosovën dhe në veçanti me UBT-në, si mundësi edhe për fitim të projekteve Erasmus-it.