UBT, partner mbështetës në fushatën vetëdijesuese kundër kancerit të gjirit
30/10/2018UBT mori pjesë në përmbylljen e fushatës promovuese për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, aktivitet që zgjati përgjatë gjithë muajit tetor dhe që pati shtrirje në tërë Kosovën, nën organizimin e Shoqatës së Onkologëve, Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë dhe UBT-së.
Në aktivitetin përmbyllës u prezantua angazhimi i UBT-së, përkatësisht Grupit për Edukim dhe Promovim të Shëndetit dhe studentëve të Fakultetit të Infermierisë në UBT, të cilët kanë qenë partner mbështetës gjatë fushatës.
Kurrikula dhe programi edukativ i UBT-së u prezantua përmes koordinatores, dr Dafina Gexha, e cila tha se akademia duhet të ketë një rol të posaçëm për edukimin e njerëzve mbi mënyrat dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
“Në UBT funksionon Departamenti për Edukim Shëndetësor, ku studentët janë të përfshirë në aspektin e dizajnimit dhe implementimit të aktiviteteve për ndërgjegjësimin e qytetarëve”, tregoi ajo.
Gezha u zotua se UBT do të vazhdojë të ofrojë edhe më tutje kontribut në iniciativa të tilla qytetare për promovim të jetës së shëndetshme , si dhe për parandalim dhe diagnostikim të hershëm të sëmundjeve.
Në fund të këtij aktiviteti, përgjegjësit treguan përmes përvojave të përjetuara, fotografive, videove dhe broshurave, tërë punën e realizuar dhe rezultatet e arritura gjatë muajit tetor, si muaj i ndërgjegjësimit kundër sëmundjes së kancerit të gjirit.