UBT organizon Konferencën e 3-të Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion

14/11/2014

UBT në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Vlorës, Organizatën Europiane për Cilësi, IFAC dhe shumë partnerë të tjerë ndërkombëtarë organizuan në Durrës, Shqipëri në datat 7 dhe 8 nëntor 2014 Konferencën Vjetore Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion.

Në këtë aktivitet janë prezantuar mbi 130 punime nga 200 pjesëmarrës nga e gjithë bota në 6 konferenca të specializuara në fushën e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit, Menaxhment Biznes dhe Ekonomi, Arkitekturë, Planifikim Hapësinor dhe Ndërtimtari, Mekatronikë dhe Robotikë, Juridik, Shkenca Politike, Media dhe Komunikim.

Në fjalimin përshëndetës, rektori prof.dr Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference dhe vlerat që përfaqëson kjo konferencë për fushat e ndryshme të shkencave me fokus të veçantë inovacionin. “Kjo konferencë ka për objektivë krijimin e një forumi, platforme për studiuesit nga rajoni dhe mbarë bota dhë të mbështesi cilësinë e kërkimit”. Rektori Hajrizi vlerësoi bashkëpunimin disa vjeçar me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Vlorës, dhe Universitetin e Vienës për Teknologji, bashkëpunim i cili është jo vetëm akademik ,por dhe në organizimin e konferencave dhe publikimeve të përbashkëta.

Profesoresha Kozeta Sevrani, përgjegjëse në departamentin e Matematikës, Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar në Fakultetin Ekonomik në Universiteti i Tiranës, shprehu kënaqësinë dhe privilegjin e të qënit pjesëmarrëse në këtë konferencë. “Universiteti i Tiranës së bashku me UBT ka krijuar traditën e organizimit të konferencave shkencore duke krijuar kështu një profil, që është në kërkim të zhvillimeve më të fundit të teknologjisë dhe inovacionit”

Ndërsa zëvndës dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” z. Shkëlqim Sinanaj vlerësoi seriozitetin e UBT-së dhe organizimin e kësaj konference e cila është ndjekur me interes të madh nga studiues nga e gjithë bota.

Në ceremoninë hapëse drejtoresha për Arsimin e Lartë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës znj.Drita Kadriu përshendeti në emër të institucionit që ajo përfaqëson, këtë iniciativë të UBT-së duke e parë këtë konferencë si mundësi shkëmbimi përvojash dhe mundësish.

 

Gjithashtu drejtori për Shkencë dhe Teknologji pranë kësaj ministrie z.Murteza Osdautaj përshëndeti këtë iniciativë që tashmë organizohet për herë të tretë dhe është një vlerë e shtuar për Kosovën. Ai shtoi se UBT është ndër institucionet e vetme në Shqipëri dhe Kosovë që ka bërë një punë të madhe në fushën e hulumtimit.

 

Një ndër partnerët më afatgjatë jo vetëm në fushën akademike, por dhe organizimin e konferencave shkencore dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta është dhe Universiteti Teknik i Vienes, përfaqësues i të cilit ishte prezent në konferencë prof.dr Felix Breitenecker i cili shpjegoi skemën e bashkëpunimit disa vjeçar ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Teknik të Vienës.

 

Në fund të kësaj konference, të gjitha punimet publikohen dhe punimet më të mira do të kenë mundësi të publikohen në revistat më prestigjoze ndërkombëtare

Me anë të kësaj konference vërtetohet më tej kontributi i vazhduar i UBT-së, në ngritjen e kërkimit shkencor si dhe njëkohësisht kjo konferencë shërben si pikë kontakti për profesionistë të disiplinave të ndryshme dhe si një rrjet i UBT-së për krijimin e iniciativave të reja akademike ndërkombëtare.