UBT organizon ceremoni për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nderon diplomatin Chad Rogers për kontributin e pareshtur për vendin

16/02/2018

Ndërtimi i shtetit të Kosovës ishte një proces i mundimshëm dhe shumëvjeçar, për të cilin u angazhuan shumë shtete, institucione e personalitete.

Në 10-vjetorin e Pavarësisë së vendit, UBT, si institucion kontribuues në përparimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, organizoi një ceremoni për shpërblimin e diplomatit dhe aktivistit të shquar kanadez, Chad Rogers, si dhe shpërblimin e atyre që aktualisht janë ambasadorët më të mirë të vendit, studentët.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Hajrizi, tha se që nga fillimi e deri sot, UBT është munduar që ta shtyjë dhe ta bëjë sa më të njohur dhe më të pranuar Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

“UBT është një  institucion i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare, misioni i të cilit ishte jo vetëm çështja e gjenerimit të dijeve të reja, e zhvillimit të kapaciteteve dhe sistemeve të reja, e sidomos, ndërkombëtarizimi i Kosovës dhe arsimit të lartë në botë”, potencoi ai.

 

Hajrizi theksoi se ndonëse është punuar gjatë këtyre viteve, shumë nga këto të arritura nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e madhe të partnerëve ndërkombëtarë, andaj, sipas tij, personalitetet kontribuuese si diplomati Chad Rogers, e meritojnë të jenë të vlerësuar dhe të njohur për punën e tyre të pareshtur për vendin.

 

Për aktivitetin e tij politik dhe humanist për qytetarët e Kosovës, rektori Hajrizi e nderoi atë me Çmimin më të lartë me të cilin UBT shpërblen personalitetet e shquara, “Excellence Leadership Award”.

 

Me rastin e pranimit të këtij Çmimi, Rogers u shpreh se ndihet i nderuar dhe se vepra e tij nuk është e mjaftueshme me atë që kosovarët meritojnë.

“Kosova është një vend ku  dinjiteti dhe vlerat  nuk humbin kurrë. Kosovarët nuk harrojnë kurrë ata të cilët i kanë ndihmuar nëpër kohë të vështira dhe kjo është një vlerë e madhe njerëzore”, theksoi ai, teksa dha këshilla për të studentët në aspektin e përfaqësimit sa më dinjitoz të vendit.  

“Ju e keni obligim qytetar dhe kombëtar punën për komunitetin tuaj, andaj edukohuni, arsimohuni dhe tregoni humanizëm për njerëzit tuaj.

Ju jeni ambasadorët më të mirë të vendit tuaj, kudo që shkoni, duhet të tregoni me krenari storjen e Kosovës, atë nëpër të cilën ka kaluar dhe atë çfarë ka arritur përgjatë këtyre viteve”.

 

Gjatë kësaj ceremonie, UBT shpërbleu edhe ata të cilët konsiderohen të jenë e ardhmja e vendit, studentët, rreth 150 prej të cilëve, fituan bursa studimi, falë suksesit dhe angazhimit të treguar gjatë viteve të studimit.

 

Ceremonia për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka vite që në UBT është bërë traditë, përgjatë të cilës, çdoherë nderohet puna dhe kontributi i një personaliteti, që është angazhuar në vijimësi për çështjen e Kosovës, si dhe shpërblehen edhe studentët më të dalluar të institucionit, me qëllim të motivimit të tyre për studim dhe punë të vazhdueshme në të mirë të vendit.