Të rinjtë nga Kosova e nga Serbia diskutojnë për sfidat e bashkëpunimit

14/03/2019

Me qëllim të eliminimit të paragjykimeve nacionaliste dhe krijimit të lidhjeve mes të rinjve nga Kosova dhe Serbia, me ftesë të Forumit Euroatlantik të Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Kosovën e vizituan anëtarë të shumtë të Këshillit Atlantik të Serbisë.

 

Të rinjtë serbë morën pjesë në aktivitetet e organizuara nga UBT, teksa mbajtën edhe një bashkëbisedimin me studentët e UBT-së, që në fokus ishin çështjet që i prekin të dyja shoqëritë.

 

Pjesë e panelit të këtij diskutimi ishin dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, dr. Arian Starova, Presidenti i Asociacionit Euro-Atlantik të Kosovës, Besfort Rrecaj, si dhe Presidenti i Këshillit Atlantik të Serbisë, Vladan Zhivuloviç.

 

Penelistët përçuan mesazhin që gjeneratat e reja duhet të mos bien pre e politikës dhe duhet të bashkëpunojnë me të gjitha komunitetet pa dallim, duke u shprehur se të rinjtë e të dyja vendeve nuk duhet të kenë paragjykime, por duhet të punojnë dhe kontribuojnë për të ardhmen evropiane të tyre.

Ndërkaq, të rinjtë njëzëri thanë se janë të interesuar që vendet prej nga ata vijnë të kenë marrëdhënie miqësore. Ata thanë se shtetet si Kosova e Serbia, duhet krijojnë raporte si vende fqinje dhe duhet të punojnë në zhvillim të qëndrueshëm. Tutje, ata biseduan edhe për idenë se një marrëveshje përfundimtare ndërmjet të dy vendeve që do të kishte përfunduar me njohjen e ndërsjellë, do të ishte në dobi të të dy vendeve.

 

Të rinjtë serbë, të shoqëruar nga studentët e UBT-së, vizituan KFOR-in në Kosovë, ku u pritën nga komandanti, Gjeneral Majro Lorenzo D’Addario.

 

Gjenerali D’Addario ka theksuar rolin që këta të rinj e kanë në ndërtimin e një ardhmeje pa paragjykime të së kaluarës.

 

Grupi i të rinjve nga Serbia përveç Prishtinës, vizituan edhe disa monumente historike në Kosovë.