UBT nis bashkëpunimin me Universitetin e Arkitekturës, Inxhinierisë Ndërtimore dhe Gjeodezisë nga Bullgaria

02/05/2019

Zgjerimi i partnerëve të UBT-së dhe ndërkombëtarizimi i arsimit kosovar, është konkretizuar me marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Universitetit të Arkitekturës, Inxhinierisë Ndërtimore dhe Gjeodezisë (UACEG), në Sofje të Bullgarisë.

 

Bashkëpunimi do të ofrojë mundësi të shumta për zhvillim të studentëve dhe stafit të të dy institucioneve, meqë fokusi do të jetë në fushën e arsimit dhe të kërkimit shkencor, përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, shkëmbimin e informacioneve kërkimore dhe organizimin e programeve të përbashkëta të doktoraturës.

 

Marrëveshja do të mundësojë realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, përfshirjen e kërkuesve shkencorë të të dy institucioneve në aktivitetet kërkimore, organizimin e  kurseve të përbashkëta afatshkurta dhe afatgjata, shkëmbimin e ligjëruesve dhe metodave të të dy institucioneve, gjithmonë në funksion të përmirësimit të cilësisë së studimeve, si edhe shkëmbimin e studentëve në kurset dhe organizimet tjera verore.

 

UBT ka nënshkruar më shumë se 300 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe kolegje të njohura ndërkombëtare, me qëllim që prej tyre të përfitojnë studentët e UBT-së, por edhe te universiteteve partnere.