UBT nënshkruan memorandum bashkëpunimi me “ISCTE Executive Education” të Portugalisë

19/06/2024

Në kuadër të Forumit të Parë të Biznesit Kosovë-Portugali, UBT dhe “ISCTE Executive Education” nga Portugalia kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, duke krijuar mundësi të reja në fushën e arsimit, kërkimit dhe trajnimeve. Ky memorandum synon të forcojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin ekzistues kulturor dhe arsimor ndërmjet dy institucioneve.

 

Në ceremoninë e nënshkrimit, të mbajtur në ambientet e Forumit të Parë të Biznesit Kosovë-Portugali, të pranishëm ishin përfaqësues të lartë nga të dy institucionet, si dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm nga sektori akademik dhe biznesi.

 

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga rektori i UBT-së Prof.Dr Edmond Hajrizi dhe drejtori për zgjerimin global në “ISCTE Executive Education”, Rui Vinhas da Silva.

Ky memorandum bashkëpunimi parashikon zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave dhe seminareve shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe ofrimin e programeve të trajnimeve të avancuara. Marrëveshja përfshin gjithashtu mundësinë e krijimit të programeve të përbashkëta të studimeve dhe përfshirjen në rrjete ndërkombëtare të kërkimit dhe inovacionit.

 

Rektori i UBT-së, Prof.Dr Edmond Hajrizi, shprehu entuziazmin e tij për këtë bashkëpunim, duke theksuar se kjo marrëveshje do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor në UBT, si dhe në zgjerimin e horizonteve për studentët dhe stafin akademik. Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në epokën e globalizimit dhe sfidave komplekse.

 

Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm përpara në përpjekjet e UBT-së për të forcuar lidhjet e saj ndërkombëtare dhe për të ofruar një arsim cilësor dhe të integruar me standardet globale.