UBT dhe University of Cambridge sjellin në Kosovë qendrën e parë të politikave publike – Public Policy Simulation Lab
10/06/2021Institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, UBT, në bashkëpunim me University of Cambridge, po sjellin në Kosovë për herë të parë qendrën: “Public Policy Simulation Lab”, e cila është qendra e vetme në tërë Evropën Juglindore.
Në bashkëpunimin mes UBT-së dhe University of Cambridge, parashihet ndërtimi i kapaciteteve në fushën e politikave publike, ngritjen e nivelit të qasjes sistemore, studimin, analizën dhe simulimin në fushën e politikave publike.
Ky bashkëpunim, sjellë këtë qendër në kuadër të 20 inovacioneve për 20-vjetorin e UBT-së, që do të ketë benefite të mëdha për studentët e UBT-së, me fokus ata të shkencave politike, politikave publike, ekonomisë e inxhinierisë. Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje e UBT-së me University of Cambridge, do të përfitojnë edhe profesionistët dhe akademikët e UBT-së, por edhe do të jetë një mbështetje edhe për Qeverinë e Kosovës, nivelin lokal të qeverisjes, si dhe për organizatat e ndryshme të cilat kanë nevojë për ndihmë në këtë fushë.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë se kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për UBT-në, por për të gjithë Kosovën, duke krijuar një potencial tashmë të ri për t’i dhënë përgjigjje gjendjes aktuale mbi politikat publike, teksa ka theksuar se do të bashkëpunojë me të gjitha palët e interesit në Kosovë, që kanë për fokus forcimin e politikave publike.
“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me palët e interesit me fokus te pjesa e qeverisë në Kosovë, qeverisjes së politikave publike, shërbyesve civil, dhe bashkë me ta, me pjesën akademike të UBT-së do të krijojmë një ekosistem, të cilin besoj se do të sjellë ngritje të cilësisë së politikave publike dhe vlerave që lidhen me një kualitet më të mirë të jetës”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ky projekt i përbashkët mes UBT-së dhe University of Cambridge, i cili është vazhdimësi i një marrëveshjeje paraprake, do të ofrojë shumë mundësi për shkëmbimin e përvojave mes profesorëve e studentëve tanë me University of Cambridge.
Menaxhimi i politikave publike dhe dizajnimi i tyre është fokusi i këtij projekti, teksa vlerësohet të jetë një nga projektet më të rëndësishme të realizuara ndonjëherë në Kosovë, që do të luaj rol kyç në vlerësimin e politikave publike dhe ndikimin që këto politika mund ta kenë në jetën e qytetarëve.