UBT në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Sport ka mbajtur konferencën: “Futbolli dhe ndikimi i tij në promovimin e shtetësisë së Kosovës”
28/03/2021Në ambientet e Kampusit Inovativ në Parkun Shkencor të UBT-së në Lipjan, UBT në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Sport ka mbajtur konferencën me temë: “Futbolli dhe ndikimi i tij në promovimin e shtetësisë së Kosovës”, disa ditë para ndeshjeve shumë të rëndësishme që do të zhvillojë Kombëtarja e Kosovës në futboll.
Në këtë konferencë morën pjesë fizikisht dhe virtualisht rektori i UBT-së si nikoqir, prof.dr. Edmond Hajrizi, ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington znj. Vlora Çitaku, z. Eroll Salihu nga Federata e Futbollit të Kosovës, si dhe gazetari i njohur nga Brukseli, z. Augustin Palokaj. Në këtë konferencë profesori Richard Giulianotti nga Mbretëria e Bashkuar dhe z. Juan Manuel Montoro nga Spanja, prezantuan dy tema të lidhura me rolin e sportit dhe shoqërisë, si dhe ndikimin e futbollit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Spanjës.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, u shpreh se marrëdhënia e shëndetshme midis sportit dhe shoqërisë, me ndërmjetësimin e akademisë dhe diplomacisë, është e rëndësishme për rritjen e nivelit të talentit dhe impaktit të sportit në Republikën e Kosovës.
“Imazhi më i mirë që Kosova mund t’i tregojë botës, është një imazh i një shoqërie të shëndetshme, gjithashtu përmes sporteve, një shoqëri që është sa konkurruese edhe aq bashkëpunuese në arritjen e interesit të përbashkët”, u shpreh profesor Hajrizi duke shtuar se diplomacia jonë më e mirë është përmes fuqizimit të sportistëve në sportet individuale dhe ekipore brenda Republikës së Kosovës, në mënyrë që të përfaqësojmë me krenari shtetin tonë në nivelet më të larta.
Nga ana e saj, znj. Vlora Çitaku është shprehur mbi lidhjen e pashmangshme të sportit me politikës.
“Marrëdhënia e sportit me politikën dhe me identitetin është e lashtë dhe e pashmangshme. Sporti si koncept që në lashtësi është përdorur për qëllime politike dhe ushtarake, për të përzgjedhur ushtarët më të mirë për të arritur qëllimet politiko-ushtarake. Në rastin e Kosovës, sporti ka rrëzuar muret e mos-njohjes për Kosovën, me atletët e sportistët tanë që kanë udhëtuar në mbarë botën, edhe në vende mos-njohëse, duke shkëlqyer dhe ngritur flamurin tonë në majat më të larta”, u shpreh ajo duke thënë se sporti i Kosovës ka qenë më i suksesshëm në arritjen e kufijve të rinj ndërkombëtar, se sa vetë politika e Kosovës.
“Jemi të bekuar që fëmijët tanë kanë si heronj sportistë të sukseshëm të Kosovës. Jam e bindur që në ndeshjen e futbollit me Suedinë, Kosova do të fitojë”, është shprehur ish-ambasadorja Çitaku.
Profesor Giulianotti argumentoi në këtë konferencë se arritja e balancës mes investimeve në sport dhe vendosmërinë për të arritur rezultate gjithëpërfshirëse brenda Kosovës, është kyçe për ndërtimin e një kulture sportive në vend.
Ai theksoi se sporti është një dritare e rëndësishme për promovimin e një edukimi shoqëror bazuar mbi barazi gjinore, luftë ndaj diskriminimit dhe promovimin e paqes. Në të njëjtën linjë, Montoro shtoi se aktivitetet sportive ndërkombëtare janë të rëndësishme për promovimin e Republikës së Kosovës. Ai iu ka referuar ndeshjes së kombëtares së futbollit të Kosovës me Spanjën javën e ardhshme, si një moment historik për prezantimin e Kosovës si një entitet i veçantë e i pavarur tek publiku spanjoll.
“Kjo do t’iu mundësojë autoriteteve politike spanjolle të rrisin vëmendjen ndaj rritjes së komunikimit me Republikën e Kosovës, dhe t’i tejkalojnë edhe barrierat politike imagjinare”, u shpreh ai.
Në përfundim, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë më gjerësisht mbi këtë temë duke iu përgjigjur pyetjeve nga publiku virtual të cilët ishin pjesëmarrës në këtë konferencë.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, falënderoi pjesëmarrësit dhe folësit për kohën dhe angazhimin e tyre për këtë temë, duke shtuar se ka besim që do të shohë një rritje të nivelit të sportit në Kosovë, si fryt i bashkëpunimit të të gjitha institucioneve në vend.
“UBT është pararojë në Kosovë si fituese edhe në nivel rajonal e ndërkombëtar i kompeticioneve të sporteve virtuale. Do të rrisim përfshirjen tonë të akademisë me sportin duke synuar që të hapim edhe një program të studimeve për sportin në UBT”, theksoi rektori Hajrizi.