UBT ndihmon Komunën e Gjilanit në projektin e transformimit urban të qendrës së qytetit

25/02/2022

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive të Planifikimit Urban, Shërbimeve Publike dhe Kadastër, ka vizituar UBT-në, me ç’rast është pritur nga drejtori për Çështje Akademike në UBT, njëherit dekan i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, prof.dr. Muhamet Ahmeti, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

 

Në këtë takim, përfaqësues të komunës së Gjilanit të prirë nga kryetari Hyseni dhe përfaqësues të UBT-së kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit të komunës së Gjilanit dhe UBT-së në hartimin dhe implementimin e projekteve konkrete, me theks të veçantë projektin për transformimin urban të qendrës së qytetit të Gjilanit.

 

Përmes Institutit për Studime Urbane dhe ekspertizës së Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, si dhe Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, UBT do të ndihmojë komunën e Gjilanit në procesin e transformimit të qendrës së qytetit duke krijuar konceptin e dizajnit urban, si dhe zgjidhjes urbane për qendrën e qytetit, mobilitetin e qëndrueshëm, objektin e ri të komunës, si dhe parkingun nëntokësor.

 

UBT së bashku me Komunën e Gjilanit janë duke i zhvilluar këto projekte në përputhje me vizionin e komunës për transformimin e qendrës urbane dhe shtimin e hapësirave publike, për t’i dhënë Gjilanit një pamje të bukur të bazuar në ekspertiza të mirëfillta dhe unike.

 

Javë më parë, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, me qëllim lidhjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.