UBT ndan rreth 300 bursa studentëve të dalluar në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

16/02/2022

Për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, UBT ka shpërblyer me bursa studimi rreth 300 studentë të dalluar të të gjitha fakulteteve, të cilët kanë arritur notën mesatare mbi 9.0.

 

Me këtë rektori Hajrizi ka thënë se UBT ndihet e lumtur që studentëve çdo ditë e më shumë po u lehtëson studimet akademike, duke iu ofruar mundësi të ndryshme për të studiuar, si dhe sjellë teknologjitë më të fundit për të qenë në hap me trendet e reja.

 

“Nga vendimi i marrë nga UBT, shihet që do të përfitojnë diku rreth 300 studentë të dalluar që kanë notën mesatare mbi 9.0, dhe shihet se është një arritje shumë e madhe dhe një gëzim shumë i madh për neve për të treguar se studentët tanë janë studentë të dalluar, janë talentë dhe me këtë ndihmojnë edhe Kosovën dhe gjithë shoqërinë e saj”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

UBT çdo vit ndihmon dhe lehtëson shkollimin e qindra të rinjve nga vendi dhe rajoni, ku ndan bursa në vlerë të 1 milion e 500 mijë eurove, bursa që ndahen me rregulloren e institucionit në kategori të parapara.

 

Në përvjetorin e 14-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, rektori Hajrizi, ka thënë se UBT si institucion ndër vite ka përfaqësuar vlera të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e përfaqësuar atë denjësisht në gara dhe organizata të ndryshme gjithandej botës.

 

“UBT-ja ka pasur një përgjegjësi prej fillimit në ndërtimin e këtyre kapaciteteve, dhe ne zakonisht jemi fokusuar në tri shtyllat kryesore të ndërtimit të vendit, në ndërtimin e politikave publike, ndërtimin e sistemeve të ndryshme, koncepteve, prototipeve, organizative apo të themi harduerike apo softuerike, dhe më e rëndësishmja për neve ka qenë ndërtimi i kapaciteteve njerëzore konform standardeve, konform kompetencave të cilat kërkohen sot dhe nesër”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

Me vendim të Këshillit Akademik të UBT-së, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi në këtë ceremoni ka konfirmuar thirrjet akademike për profesorë të UBT-së, të cilët me kontributin e tyre po edukojnë gjenerata të tëra të profesionistëve të rinj në më shumë se 50 fusha të studimit.

 

Në këtë ceremoni u prezantuan tri përmbledhje që shpërfaqën aktivitetin, angazhimin dhe kontributin e UBT-së ndër vite për ndërkombëtarizimin e Kosovës kudo nëpër botë, përmes angazhimit në marrëveshjet e bashkëpunimit, pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare e anëtarësimet në organizatat më të njohura dhe më prestigjioze të botës.