UBT në vazhdimësi bashkëpunon me USAID-in
18/04/2013
Prishtinë, 18 prill 2013- Studentët e Fakultetit Juridik të UBT-së patën rastin të mësojnë më shumë rreth strukturës së gjykatave dhe prokurorive në Kosovë. Në bashkëpunim me Programin për Sundimin Efektiv të Ligjit (EROL) të USAID-it, UBT organizoi takimin ku përfaqësues të EROL prezantuan informacione për gjykatat, prokuroritë dhe mundësitë për karrierë në sektorin e drejtësisë në vend.
Takimin e hapi prodedekani i Fakultetit të Juridikut në UBT, Ardian Emini, i cili theksoi sa e rëndësishme është për studentët e juridikut të kenë më shumë informacion rreth gjykatave, prokurorive dhe profesioneve të ndryshme në lëminë në mënyrë që ta kenë më të lehtë të zgjedhin orientimin e dëshiruar.
Nga ana tjetër, Zëvendëspresidenti i UBT-së, Prof. Dr. Mo Vaziri, iu foli studentëve për fusha të ndryshme të ekspertizës ligjore, duke u fokusuar tek ndryshimet që ka pësuar praktika dhe lëvizja nga krimi i ‘jakave blu’ drejt një shtimi të rasteve të krimit nga ‘jakat e bardha’ dhe sa e rëndësishme është që të hetohet dhe luftohet ky lloj i krimit për të ndërtuar një shoqëri të drejtë për të gjithë.
Në këtë takim, përfaqësueset e programit EROL iu prezantuan studentëve cila është struktura e re e gjykatave dhe e prokurorive dhe se ‘qëllimi i këtij ristrukturimi është që të ketë më shumë efikasitet, transparencë dhe qasje të barabartë për të gjithë në sistemin e drejtësisë.’ Gjithashtu, studentët mësuan rreth profesioneve të ndryshme që ata mund t’i zgjedhin në të ardhmen si karrierë e tyre, si prokurorë, gjyqtarë, avokatë, apo noterë dhe se çfarë rrugësh duhet të ndjekin dhe provime duhet të japin për të realizuar ëndrrën e tyre profesionale.
Pas takimit, përfaqësuesit e programit EROL shpërndanë dhe broshurat e përgatitura për të rinj ‘Zgjidh profesionin tënd’, ‘Çfarë është provimi i jurisprudencës’ dhe ‘Vlerësimi dhe njohja e diplomave’.