UBT mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri
09/11/2024UBT mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përmes Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Njësisë së Inteligjencës Artificiale pranë saj.
Si bashkëorganizator i kësaj konference, UBT ka kontribuar me prezantime të rëndësishme dhe projekte të avancuara në fushën e inteligjencës artificiale dhe Internet of Things (IoT), që synojnë përmirësimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
Një nga prezantimet kyçe nga ekipi i UBT-së ishte prezantimi i Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajriz, me temën: “AI Based Actual System Developments at UBT Smart City”, ku theksoi aplikimet e avancuara të inteligjencës artificiale brenda projektit novator UBT Smart City.
Ky ekosistem i zhvilluar nga UBT synon të krijojë një mjedis të zgjuar urban që integron teknologji të reja për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke përdorur AI për menaxhimin inteligjent të burimeve, përmirësimin e mobilitetit dhe monitorimin e mjedisit.
Prezantimi tjetër ishte “Development of a Smart City Platform: IoT Integration and AI-Driven Predictive Analytics for Environmental Sustainability”, i realizuar nga Rektori Hajrizi në bashkëpunim me profesorët: Besnik Qehaja, Blerim Zylfiu dhe Elton Boshnjaku.
Ky studim që u prezantua nga Profesori Blerim Zylfiu, trajtoi integrimin e teknologjive IoT dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për analizat parashikuese në përmirësimin e qëndrueshmërisë mjedisore, një komponent kyç për qytetet inteligjente të së ardhmes.
Një tjetër prezantim me ndikim të madh nga UBT ishte “IoT Enhanced Health Monitoring System Using Wearable Sensors for Chronic Disease Management”, i përgatitur nga Greta Alma, Mirlinda Reqica dhe Elita Hajrizi.
Ky projekt prezanton një sistem të avancuar për monitorimin e shëndetit të pacientëve kronikë, duke përdorur sensorë të vendosur në trup, që u mundësojnë pacientëve dhe profesionistëve të shëndetësisë një qasje më efektive për menaxhimin e sëmundjeve kronike përmes IoT dhe AI.
Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi theksoi rolin e UBT-së në zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike që kontribuojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe promovimin e qëndrueshmërisë globale, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe platformat e zgjuara urbane.
UBT, si bashkëorganizator i konferencës, po e çon përpara rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të zhvillimeve teknologjike, duke kontribuar në krijimin e një epoke të re inovacioni dhe kreativiteti në rajon dhe më gjerë.