UBT mori pjesë në Konferencën e Lidershipit Ballkanik në Tiranë
05/04/2022UBT me ftesë të Këshillit të Lartë të Ndërkombëtar për Paqen në Ballkan dhe Klubit të Podgoricës, mori pjesë në Konferencën e Lidershipit Ballkanik me temën: “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Ekonomik në Ballkanin Perëndimor”.
UBT u përfaqësua nga koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare në UBT, Erëza Mehmeti, në konferencën në të cilën u bënë bashkë liderë nga vendet e Ballkanit dhe institucionet evropiane dhe rajonale, e ku u ndanë pikëpamje rreth mirëkuptimit të përbashkët për çështjet e ndjeshme me të cilat ballafaqohet Ballkani.
Në këtë konferencë, koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare në UBT, Erëza Mehmeti, ka folur për rolin e të rinjve, si dhe për rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional, si dy fusha shumë të rëndësishme ku UBT jep një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqëri.
“Përgjatë gjithë këtyre viteve UBT ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e një shoqërie të dijes, duke aftësuar të rinjtë në fusha të ndryshme e duke i bërë ata të gatshëm për tregun e punës. Ne arritëm këtë sukses duke organizuar aktivitete ekstra-kurrikulare, duke themeluar qendra dhe duke ndërlidhur mësimin kurrikular me teknologjinë e fundit dhe me punën praktike në përputhje me kërkesat e industrisë”, ka thënë Mehmeti.
Në këtë konferencë, koordinatorja e Zyrës Nërkombëtare në UBT, Erëza Mehmeti, potencoi edhe rëndësinë e edukimit për paqen për të gjithë pa dallim, veçanërisht për të rinjtë që janë duke e ndërtuar identitetin e tyre dhe vlerat që përfaqësojnë.
Ndër të tjera, në Konferencën e Lidershipit Ballkanik u diskutua për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, për sigurinë e kërcënuar nga zhvillimet aktuale, si dhe janë ndarë mendime për zhvillimin ekonomik në rajon dhe ndikimin e kësaj të fundit në mbështetje të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor.