UBT mirëpret talentet kreative, fitues të sfidës “Innovation Unleashed”
24/12/2024UBT ka mirëpritur 10 talentet e industrive kreative fituese të garës “Innovation Unleashed: A Challenge for Creative Minds”. Me mbështetjen e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, ky projekt synon të krijojë mundësi për zhvillimin e produkteve të reja inovative dhe përmirësimin e ekonomisë vendore përmes fuqizimit të ideve krijuese.
Talenteve pjesëmarrëse iu është ofruar mentorim nga ekspertët më të mirë të UBT-së, me qëllim zhvillimin e aftësive në sipërmarrje dhe vetëpunësim. Kjo iniciativë frymëzon të rinjtë të jenë motorë të ndryshimit, duke ndihmuar në rritjen e sektorit të industrive kreative në Kosovë.
Me këtë rast, u mbajt një takim me Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe profesorë të Fakultetit të Artit, Mediave Digjitale dhe Dizajnit të Integruar, ku talentet prezantuan projektet e tyre. Ndër idetë e prezantuara ishin një platformë për postimin e ngjarjeve kulturore javore apo mujore, produkte për personalizim me teknologjinë AI që optimizojnë enterierin, dhe produkte të tjera kreative të dizajnuara për t’u përshtatur me nevojat e klientëve.
Rektori Hajrizi dëgjoi me kujdes secilin projekt, duke dhënë këshilla praktike dhe motivuese për t’i ndihmuar të rinjtë të arrijnë rezultate sa më të suksesshme.