UBT me rrjetën më të madhe të parqeve shkencore e inovative në rajon

20/09/2021

Pas Parkut Shkencor dhe Inovativ në Lipjan, si pikënisje e një projekti premtues për ndërlidhje mes njerëzve, qyteteve e shteteve, së pari mes vete e  pastaj me botën, UBT ka inauguruar vitin e kaluar “Korça Innovation and Technology Hub”, në një ambient fantastik midis qytetit të bukur korçar, i cili po vazhdon të shërbejë si një shembull suksesi në Shqipëri, ku është rritur kërkesa për hapjen e parqeve të tjera edhe në Tiranë e qytete tjera.

 

Tani UBT do të hap parkun më të madh inovativ e shkencor në qendër të Prishtinës, në një hapësirë me mbi pesëmijë metra katror, i cili do të kontribuojë në përgatitjen e kuadrove më të mira të TIK-ut, në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe në përfshirjen e Kosovës në hartën globale të arritjeve teknologjike, shkencore e inovative.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, e konsideron si qenësore për një shoqëri ndërlidhjen e saj me trendët e fundit botërore në fushën e inovacionit dhe shkencës.

 

“Arritjet e fundit teknologjike e shkencore kanë rrëzuar mure e kanë eliminuar largësi, duke e tkurrur botën e duke e bërë atë të qasshme për secilin prej nesh. Jo vetëm si spektator të arritjeve por edhe si pjesëmarrës dhe kontribues direkt. Ky është edhe synimi ynë të cilin do ta arrijmë përmes projektit për kompletimin e rrjetës më të madhe të parqeve teknologjike në rajon”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Ky investim është pjesë e vizionit të UBT-së për të qenë kontribues në arritjet globale në këtë fushë.